Daçiq njofton për vrasjen e Faton Hajrizit, të dyshuarit për vrasjen e policit në Serbi

Beograd, 19 korrik 2024 – Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka thënë të premten se personi që e vrau një polic të enjten në Lloznicë, i cili dyshohet të jetë Faton Hajrizi, është vrarë nga pjesëtarët e policisë në rrethinën e Lloznicës.

“Pjesëtarët e policisë e kanë likuiduar në rrethinën e Lloznicës vrasësin e policit”, ka deklaruar Daçiq.

Mediet në Serbi raportojnë se Daçiq është nisur për në vendin e ngjarjes.

Daçiq nuk ka folur për identitetin e personit të vrarë. Ai e ka bërë këtë të premten në mëngjes, kur ka njoftuar se policia po vazhdonte kërkimin për Faton Hajrizin, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e policit Nikolla Kërsmanoviq dhe plagosjen e policit Vjekosllav Iliq, natën mes të mërkurës dhe të enjtes në Lloznicë, në pjesën perëndimore të Serbisë.

Të premten, Ministria e Brendshme e Serbisë e publikoi fotografinë e Faton Hajrizit dhe u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Faton Hajrizi, shtetas i Kosovës, ishte person në kërkim në Kosovë që nga 6 korriku, kur ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës.

(r.m.)