Daçiq: Perëndimi duhet t’i bëjë më shumë presion Kurtit

Beograd, 13 shtator 2023 – Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se ai nuk pret përparim gjatë raundit të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, meqë, sipas tij, “Perëndimi nuk është i gatshëm t’i bëjë presion shtesë” kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të filluar normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Do të doja të shihja një përparim gjatë raundit të ri të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, megjithatë nuk kemi shumë shpresë, për shkak të Kurtit, por edhe për shkak të hezitimit të njerëzve të Perëndimit që t’i bëjnë (Kurtit) presion shtesë në mënyrë që ai të niset drejt rrugës së normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Daçiq.

Daçiq ka thënë se Serbia dëshiron të bisedojë dhe do të jetë gjithmonë pjesë konstruktive e dialogut, ndërsa Perëndimin e ka akuzuar se “nuk po kupton se Kurti dëshiron të arrijë synimet e tij me forcë”.

Shefi i diplomacisë serbe ka thënë se dialogu duhet të jetë neutral ndaj statusit.

“Negociatat duhet të jenë neutrale ndaj statusit, por nuk janë. Pastaj na kritikojnë përse marrim pjesë në bisedime. Serbia nuk duhet të shpallet fajtore pasi që kështu, para se gjithash, do të vuajnë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, është shprehur Daçiq.

Ai i ka bërë këto komente në televizionin B92, në prag të takimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të zhvillohet të mërkurën, më 14 shtator, në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në fokus të këtij takimi pritet të jetë zbatimi i Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën Kurti e Vuçiq e kanë pranuar deklarativisht. Por, Vuçiq ka deklaruar disa herë se disa pika të marrëveshjes nuk do t’i zbatojë kurrë.

(r.m.)