Bruksel, 20 mars 2023 – Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm ta zbatojë marrëveshjen e arritur me Kosovën në Ohër, por deri te vijat e kuqe.
“Vijat tona të kuqe, me të cilat nuk pajtohemi përfshijnë njohjen reciproke: jo njohje e Kosovës dhe as anëtarësim i Kosovës në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Daçiq në Bruksel, ku ka marrë pjesë në një konferencë donatorësh për mbledhjen e fondeve, pas tërmetit që ka goditur Turqinë dhe Sirinë muajin e kaluar.
Shefi i diplomacisë serbe ka thënë se në Ohër janë ruajtur interesat kombëtare serbe.
Sipas tij formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të jetë ligjërisht obligues për Prishtinën.
Procesi i dialogut, sipas tij, është vetëm në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve dhe asgjë më shumë se kaq.
“Mendoj se është vazhdimësi e asaj që kemi filluar rreth 10 vjet më parë, dhe në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme të dihet se kjo është një marrëveshje për hapat e mëtejshëm në normalizimin e marrëdhënieve, dhe jo për çështjet e statusit”, është shprehur ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë arritur pajtueshmëri më 18 mars në Ohër për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
(REL)