Daçiq: Xhaçka po e inkurajon Kurtin për provokime të mëtejshme

Beograd, 28 dhjetor 2022 – Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, iu kundërpërgjigj reagimit të ministres së Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, lidhur me barrikadat dhe tensionet që po ishkakton Serbia në pjesën veriore të Kosovës. Ai e akuzoi zonjën Xhaçka se “po e inkurajon” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, “të vazhdojë me provokime” ndaj Serbisë.

“Në vend që ta paralajmërojë që të mos e kërcënojë paqen dhe stabilitetin në rajon, ministrja shqiptare po e inkurajon atë për provokime të mëtejshme. Prandaj ajo dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare mbajnë një përgjegjësi të madhe për gjithçka që po ndodh dhe mund të ndodhë në Kosovë”, tha Daçiq.

Ai tha se ministrja Xhaçka “nuk ia ka kujtuar” Kurtit se “ka obligim” të zbatojë marrëveshjet e dokumentet ndërkombëtare, mes të cilave e veçon Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ajo (Xhaçka) nuk ia ka kujtuar Kurtit se ka obligim të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit, Rezolutën 1244 dhe të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtar, si edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe të mos i dërgojë në veri njësite shqiptare të armatosura dhe të mos i arrestojë serbë vetëm sepse janë serbë”, tha Daçiq.

Shefi i diplomacisë serbe tha se Serbia do ta mbrojë popullin serb “nga terrori” i shqiptarëve.

“Serbia, me presidentin Aleksandar Vuçiq në krye, do të bëjë gjithçka për paqen, por edhe do të bëjë çdo gjë për të mbrojtur popullin serb nga terrori”, theksoi Vuçiq.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha të martën se Shqipëria është me Kosovën dhe u bëri thirrje autoriteteve të Serbisë që të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që po refuzojnë t’i largojnë ato.

“Ne jemi me Kosovën në këtë situatë të vështirë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që refuzojnë t’i largojnë ato. Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”, shkroi ajo në Facebook.

“Të luash me zjarrin është ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”, shkroi Xhaçka.

(r.m.)