Tiranë, 23 maj 2024 – Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar arrestimin e 9 personave lidhur me një skemë të mashtrimit dhe vjedhjes së mijëra qytetarëve nga Shoqëritë “Micro Credit Albania” (MCA) dhe STAR-fs.
4 mijë kredi të këqija me vlerë totale rreth 7.2 milion euro që u blenë nga një bankë e nivelit të dytë u përdorën për një skemë shtrënguese ku u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerjeje prandaj shoqëritë përmbarimore ua bllokonin rrogat, pronat apo makinat.
Hetimi i prokurorisë së Tiranës, i cili ka nisur pas kallëzimit të Ministrisë së Drejtësisë, ka zbuluar se në këtë skemë ishin të përfshira 3 shoqëri përmbarimore dhe 2 institucione financiare, të cilat e kanë vënë në jetë këtë skemë me ndihmën e një noteri dhe të disa avokatëve.
Shoqëria Micro Credit Albania dhe shoqëritë e tjera financiare joshnin debitorët të merrnin kredi të reja, duke i hequr përkohësisht pasurinë e bllokuar por aplikonin kamatvonesa 2% + 8% për çdo vit.
Prokuroria tregoi se një shtetasi i janë sekuestruar 14 pasuri për një detyrim të prapambetur prej 3.5 milion lekësh të vjetra.
Administratorëve të shoqërisë MCA dhe STAR-fs si edhe përmbaruesve privatë Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Kejda Seferi, Arben Meskuti, Alban Kote, Alketa Tanushi, Jorsida Dervishi dhe Elda Ibro, të cilët akuzohen për vjedhje e shpërdorim detyre, u është caktuar masat e sigurisë arrest me burg dhe arrest shtëpie.
Prokuroria e Tiranës vlerëson se përgjegjësitë për këtë mashtrim mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe te guvernatori i saj, Gent Sejko. Por, kjo prokurori shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dheë krimit të Organizuar, SPAK, të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit Sejko për veprën penale “shpërdorim i detyrës” dhe ndaj shoqërisë MCA për veprat penale :mashtrim”, “fshehje e të ardhurave” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
“Veprimtaria e MCA shpk rezulton që në mënyrë të vazhdueshme ka penalizuar interesat e ligjshme të individëve kredimarrës, e cila ka qenë në bashkëpunim me përmbaruesit gjyqësorë si dhe lindin dyshime se mund të ketë pasur bashkëpunim edhe me punonjës të Bankës së Shqipërisë”, thuhet në vendimin e Prokurorisë së Tiranës për shpalljen e moskompetencës.
Guvernatori Sejko, në një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të ekonomisë dhe financave, deklaroi se Banka e Shqipërisë i kishte marrë të gjitha masat që ia lejonte ligji.
(r.m.)