Dallëndyshe Bici e refuzon mandatin, Plarent Ndreca bëhet deputet i ri i PS-së

Tiranë, 11 janar 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi të enjten se Dallëndyshe Bici, kandidate për deputete në listën shumëemërore të Partisë Socialiste, e ka refuzuar mandatin e deputetit të lënë bosh nga ndërpreja e parakohshme e mandatit të Arben Ahmetajt.

Në një shkresë drejtuar KQZ-së, Bici deklaron se nuk do të vijojë procedurat ligjore përkatëse për marrjen e mandatit të deputetit duke e lidhur refuzimin me detyrën e saj në krye të Kadastrës.

Këtë mandat pritet ta marrë Plarent Ndreca, kandidati i radhës në listën socialiste. Ndreca pohoi për BIRN-in se do ta pranonte mandatin dhe se ishte “i nderuar nga kjo mundësi”.

Ndreca, me profesion jurist, ka përvojë të gjatë pune në administratën shtetërore në qeverisjen socialiste si Sekretar i Përgjithshëm në disa ministri të rëndëishsme, si ajo e Arsimit, Mjedisit dhe Turizmit dhe në Ministrinë e Brendshme.

Pas vendimmarrjes së KQZ-së, ai do të jetë deputet deri në zgjedhjet parlamentare të ardhshme të vitit 2025, pasi Kuvendi vendosi të ndërpresë mandatin e Ahmetajn për arsye mungese në seancat plenare që nga korriku 2023, kur Kuvendi votoi pro arrestimit të tij për aferën e inceneratorëve.

Ish-zëvendëskryeministër dhe ministër në qeverinë e drejtuar nga Edi Rama ai nuk pranoi të përballej me drejtësinë duke u shpallur si person në kërkim ndërkombëtar.

Emri i Ahmetajt u përfshi në hetimet për dhënien nga qeveria të 3 kontratave qindra-milionë euro për ndërtimin e inceneratorëve, një hetim që ka çuar pas hekurave disa zyrtarë të tjerë të lartë, një ish-ministër dhe një ish-deputet të PS-së.

Hetimi i prokurorisë kundër ish numrit dy të qeverisë “Rama” zbuloi prona dhe investime të padeklaruara të tij në dy dekada si dhe pagesa të tërthorta të marra nga biznesmenët e inceneratorëve me vlerë 491 mijë euro si dhe një vilë në Hamallaj.

(Reporter.al)