“Dallëndyshja e kujtesës” rikthehet në Tetovën e Nexhat Pustinës

Tetovë, 22 maj 2024 – Të mërkurën, në Bibliotekën Universitare “Maks van der Shtul” të UEJL në Tetovë, në prani të profesorëve universitarë, studentëve, intelektualëve  si dhe të familjes Pustina, u promovua libri “Dallëndyshja e kujtesës” , një përzgjedhje poezish nga opusi krijues i poetit Nexhat Pustina, botuar nga  Shtëpia botuese  “Agoraprint”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, falënderoi organizatorët për përzgjedhjen e bibliotekës si vendin më të duhur për promovimin e këtij libri.

“Pavarësisht prejardhjes së tij dibrane, poeti Nexhat Pustina është një tetovar i natyralizuar dhe për këtë ne jemi krenar”, tha mes tjerash Rektori Bexheti . Sipas tij, poeti Nexhat Pustina sjell momente emocionuese që pasqyrojnë jetën e një familjeje shqiptare gjatë kohërave të vështira dhe ndryshimeve sociale.

“Përmes veprave te tij, Nexhat Pustina na fton të reflektojmë mbi vlerat dhe traditat tona, si dhe mbi mënyrën se si ato formojnë identitetin tonë. Përmes punës së tij, ai ka arritur të ruajë dhe të promovojë kulturën dhe historinë shqiptare, duke e bërë atë një figurë të rëndësishme në panoramën e letërsisë së hapësirave tona”, nënvizoi rektori Bexheti.

Botuesi i këtij libri, Emin Azemi, i cili njëherësh është edhe përzgjedhës i poezive, vuri në dukje se edhe pse jo sa duhet e përfshirë në procesin komunikues me lexuesin e sotëm dhe ende më pak e trajtuar meritueshëm nga mendimi teoriko-letrar, kjo poezi, megjithatë, e ndërtoi natyrshëm procedun e vet të ligjërimit lirik që bazohej kryesisht në dy burime: në poetikën tradicionale dhe në krijimtarinë gojore, duke riformësuar vargje me një intonacion të ri artsitik. Sipas tij, libri “Dallëndyshja e kujtesës” të autorit Nexhat Pustina është produkt i një përzgjedhjeje poetike nga vëllimet “Zë bylbyli, lule maji“ (1969),  “Zëri në shtrëngatë” (1972), “M’i vjedhin gurët” (1977),  si dhe  “Këngët rebele” (1981).

Emin Azemi

Emin Azemi

“Poezinë e Nexhat Pustinës e përshkojnë kryesisht motivet që bashkëjetojnë me natyrën e njeriut të kohës së tij dhe kompleksitetin e gjallimit, duke filluar nga intima dhe bota refleksive e njeriut, dimensioni social i përditshmërisë dhe notat melankolike nga e kaluara, deri te përshkrimi idilik i natyrës si dhe portretizimi i kategorive dhe moshave të ndryshme”, nënvizoi Azemi.

Poeti Nexhat Pustina poezinë e tij mbështolli me një mision e shenjtë, që vetëm arti i mirëfillt mund ta ketë, duke e funksionalizuar këtë mision si një mjet që porosinë poetike e ngrit në një rrafsh më të lartë të komunkimit, brenda hapësirës letrare që autori ngadal por sigurt po e pushtonte, sepse, siç tha studiuesi dhe publicisti  Nijazi Muhamedi  “e vështruar për nga përmbajtja, poezia e Nexhat Pustinës posedon vlera, që jo vetëm që e  dëshmojnë prezencën e tij në letërsi, por ia caktojnë edhe vendin në suazat e saja”. Ai theksoi edhe rëndësinë e riaktulizimit të poetëve të gjeneratave më të vjetra dhe të njëjtit të përfshihen në planprogramet e shkollave dhe universiteteve tona.

Shkrimtari dhe studiuesi Bardhyl Zaimi, tha se ne kemi në duar një libër me poezi të përzgjedhura të krijuesit Nexhat Pustina me një titull tepër kreativ “Dallëndyshja e kujtesës”, botuar nga SH.B “Agoraprint”, që është pikërisht në funksion të shpërfaqjes së trashëgimisë sonë letrare, të risjelljes në vëmendje të një poeti kalibër, që tashmë e ka vendin e vetë, si shumë të tjerë, në universin e përshprtshëm të letërsisë shqipe.

“Nexhat Pustina, mbetet emër i përveçëm në letërsinë shqipe, sepse ligjirimi i tij poetik përfton gjuhën parake, fjalët e moçme, modelet paraprake të ligjerimit poetik të traditës, që shkrihet mjeshtërisht në matricën origjinale të transponimit të tij poetik. Brenda këtij ligjerimi poetik nëpërduken tonalitetet e poetikës së Hil Mosit, Mjedës, Migjenit, Lasgushit, por edhe të Bodlerit dhe autorëve tjerë modern. Poetika e Nexhat Pustinës është sintezë kreative e ligjerimit poetik të traditës dhe shfaqjeve moderne të poezisë. Ajo merre nga tradita esencat e përhershmërisë së botës shqiptare dhe më pas i transponon në ligjerim origjinal modern poetik. Është një ligjërim poetik që me elegancë sjellë edhe poezinë erotike, gjithnjë si mungesë e përshkuar me tone melankolie”, saktësoi Bardhyl Zaimi.

Një ndihmesë të çmuar në krijimin e atmosferës poetike, përmes deklamimit të poezive të Nexhat Pustinës, kontribuuan aktori Elmir Sejfullai, gazetari Seladin Xherzairi, si dhe maestro Jeton  Pustina –  përcjellje instrumentale me kitarë.

(r.m.)