Damka: Kosova është e interesuar për blerjen e dronëve “Bayraktar”

Prishtinë, 20 dhjetor 2022 – Kosova e ka në agjendë blerjen e dronëve të prodhimit turk “Bayraktar”.

Kështu ka thënë ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka, për agjencinë shtetërore turke të lajmeve “Anadolu”.

“Ky është proces afatgjatë. Çdo shtet dëshiron të ketë dronë në shtëpi, në magazinën e arsenalit të tij ushtarak”, ka thënë Damka.

Ai ka theksuar se çdo blerje e armëve “do të përdoret vetëm për mbrojtjen e vendit”.

Damka e ka konfirmuar edhe për Radion Evropa e Lirë interesimin e Kosovës për blerjen e dronëve “Bayraktar”. Por, ai ka thënë se nuk ka informacione lidhur me buxhetin që do të shpenzohet apo numrin e dronëve që dëshiron t’i blejë Kosova.

Presidentja Osmani, më 26 shkurt të këtij viti, gjatë vizitës në Turqi, e kishte vizituar fabrikën e prodhimit të dronëve “Bayraktar”.

“Bayraktar” është një dron relativisht i lirë që për herë të parë ka fluturuar më 2014. Këta dronë përdoren nga ushtritë e disa shteteve. Ata janë dërguar edhe në Ukrainë, për të ndihmuar forcat ukrainase që të luftojnë kundër pushtimit rus.

(r.m.)