Prishtinë, 20 dhjetor 2021 – Kosova dhe Danimarka nënshkruan të hënën një letër qëllim sipas së cilës shteti danez do të marr në shfrytëzim për një periudhë 10 vjeçare qendrën e paraburgimit në Gjilan, rreth 45 kilometra në lindje të Prishtinës.
Ministrat e drejtësisë të të dyja vendeve nuk shpalosën hollësi të marrëveshjes pasi që sipas tyre e njëjta pritet të vazhdojë të diskutohet.
Zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë kanë thënë se Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro nga Danimarka, e cila do të financojë sistemin e drejtësisë të Kosovës dhe projektet e energjisë së ripërtërishme.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Kosova është vlerësuar si palë serioze me idenë e transferimit të burgosurve që aktualisht mbahen në qendrat korrektuese në Mbretërinë e Danimarkës.
“Kosova ka kapacitete për 2 mijë e 500 të burgosur dhe aktualisht janë rreth 700 vende të lira dhe kemi marr përsipër që t’i gjendemi Mbretërisë së Danimarkës në këtë sfidë me mungesë të kapaciteteve por duhet shtuar faktin këtu që vlejnë ligjet e Danimarkës sepse Danimarka vetëm do ta marr në shfrytëzim qendrën e paraburgimit në Gjilan”, tha ajo.
Ministrja Haxhiu tha se marrëveshja duhet të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës pasi që hyn në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ministri i drejtësisë së Danimarkës, Nick Hakerup, tha se marrëveshja është një shenjë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës dhe sipas tijme këtë marrëveshje do të përfitojmë të dyja palët.
“Shpresoj që kjo marrëveshje do të zgjidh një masë të madhe të problemeve me të cilat përballemi me burgjet e mbingarkuara në Danimarkë dhe gjithashtu shpresoj që kjo do t’i mundësoj Kosovës që të investojë në sistemet e burgjeve të saj dhe të zhvilloj kapacitetet e saj në sundimin e ligjit më gjerësisht”, tha ai duke nënvizuar se të burgosurit që të do të vendosen në Kosovë nuk do të jenë persona të lidhur terrorizmin dhe krimet e luftës.
Kritikët e marrëveshjes në Kosovë tërheqin vërejtjen se vendi ka mungesë të mundësive dhe burimeve për një marrëveshje të tillë.
Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë.
(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)