Dardan Krivaça dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit

Prishtinë, 4 gusht 2023 – Dardan Krivaça, autori kryesor në rastin e vrasjes së 18-vjeçares Marigona Osmani, është dënuar me burgim të përjetshëm, kurse Arbër Sejdiu, bashkator në kryerjen e vrasjes, është dënuar me 15 vjet burgim.

Vendimi për dy të akuzuarit për vrasjen makabër të 18 vjeçares Marigona Osmani është kumtuar në seancën përfundimtare të rastit, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të premten.

Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça, në Ferizaj.

Krivaça akuzohej se më 21 gusht 2021, në banesën e tij, e kishte detyruar të ndjerën Marigona Osmani të kryente marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj dhe e kishte keqtrajtuar në forma të ndryshme.

Të nesërmen, më 22 gusht 2021, Krivaqa bashkë me Arbër Sejdiun e kanë privuar nga jeta Marigonën. Në përpjekje për të fshehur veprën penale, ata e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur.

Sipas aktakuzës, atë ditë, prej orës 10:56 deri në orën 14:43, Krivaça dhe Sejdiu e kishin e kishin torturuar psiqikisht dhe e kishin rrahur brutalisht të ndjerën,e cila kishte pësuar lëndime të rënda trupore. Autopsia ka nxjerrë në pah se vdekja e saj ishte pasojë e drejtpërdrejtë e asfiksia mekanike dhe shoku hemorragjik e traumatik, të cilat ishin pasoja të gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme.

Ekipi mjekoligjor ka vërtetuar se e ndjera i kishte të thyera ashtin e nofullës së poshtme, disa brinjë, klavikulën e majtë dhe unazat e qafës. Ajo kishte pasur gjakderdhje epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël dhe këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë.

Rasti i vrasjes së Marigona Osmanit kishte shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë. Udhëheqësit e institucioneve shtetërore, subjektet politike dhe shoqëria civile kishin kërkuar dënim maksimal për dy të akuzuarit.

(r.m.)