DASH: Palët të punojnë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për depërshkallëzimin e situatës në veri

Uashington, 26 shtator 2023 – Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë se për depërshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës është i nevojshëm bashkëpunimi i palëve me partnerët ndërkombëtarë.

“Mendojmë se është e rëndësishme që të gjitha palët të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të depërshkallëzuar situatën, për të garantuar sigurinë, sundimin e ligjit dhe kthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, të martën, në konferencë për medie.

Miller e ka shprehur këtë qëndrim, duke u përgjigjur në pyetjen se cili është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara lidhur me kërkesën që NATO/KFOR të marrë pën kontroll të plotë pjesën veriore të Kosovës, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë të situatës.

Këtë kërkesë e bëri Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën në mëngjes, në takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë), dhe shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, ku u diskutua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës.

“Përsërita qëndrimet e Serbisë për ngjarjet e fundit në Kosovë e Metohi dhe kërkova që KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës, në vend të policisë së Kurtit”, ka shkruar Vuçiq në Instagram, pas takimit.

(r.m.)