DASH pas takimit në Riad: SHBA-ja dhe Rusia u pajtuan të punojnë drejt paqes në Ukrainë

Uashington, 18 shkurt 2025 – Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë pajtuar të martën për t’i adresuar faktorët “acarues” në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kanë nisur punën drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë, ka thënë të martën Departamenti amerikan i Shtetit, duke e bërë të qartë se përpjekjet janë ende në fazat e para.

“Një thirrje telefonike, e pasuar me një takim, nuk janë të mjaftueshme për paqe të qëndrueshme”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, pas takimit që është zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite që ka zgjatur mbi katër orë.

Mes tjerash, ajo ka thënë se palët do të angazhojnë ekipe të nivelit të lartë për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt që është e mundur, “në një mënyrë që është e qëndrueshme dhe e pranueshme për të dyja palët”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, që e ka udhëhequr delegacionin e SHBA-së, ka thënë se palët janë pajtuar edhe për të rivendosur stafin e ambasadave dhe që, pos diskutimeve për paqe në Ukrainë, ekipet negociatore do të promovojnë edhe bashkëpunim ekonomik.

Rubio ka folur edhe për mungesën e Ukrainës dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian në tavolinën negociuese.

Ai ka thënë, në një konferencë për media, se “askush nuk është lënë mënjanë” dhe se edhe BE-ja do të jetë pjesë e negociatave në të ardhmen, sepse edhe blloku evropian e ka sanksionuar Moskën.

Sipas tij, prej këtyre bisedimeve mund të rezultojnë “disa gjëra shumë pozitive për Shtetet e Bashkuara, për Evropën, për Ukrainën, për botën”, por që “e gjitha nis me përfundimin e konfliktit”.

Rubio e ka përmendur edhe faktin që për t’i shënë fund luftës, të gjitha palët do të duhet të bëjnë koncesione.

Zëdhënësja Bruce ka thënë nëpërmjet një deklarate se presidenti amerikan, Donald Trump, dëshiron t’iu japë fund vrasjeve.

“Shtetet e Bashkuara duan paqe dhe janë duke shfrytëzuar fuqinë e tyre në botë për t’i afruar shtetet së bashku. Presidenti Trump është lideri i vetëm në botë që mund t’i bindë Ukrainën dhe Rusinë të arrijnë pajtueshmëri”, ka thënë ajo.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*