DASH: Të gjithë ata që janë përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e sulmit në Kosovë duhet të sillen para drejtësisë

Uashington, 4 tetor 2023 – Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është deklaruar sërish lpër sulmin terrorist të kryer më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit dhe për grumbullimin e forcave të ushtrisë së Serbisë në kufi me Kosovën.

Zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel, ka thënë se të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë sulm terrorist duhet të sillen para drejtësisë.

“Ne kemi parë ato raporte, dhe nuk do të shkojmë para hetimeve. Ne e dimë se sulmet ishin mirë të koordinuara dhe të planifikuar, dhe të gjithë që ishin të përfshirë në planifikim dhe ekzekutim të këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë”, ka thënë të martën, duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me arrestimin e Milan Radoiçiqit.

Z. Patel ka komentuar edhe grumullimin e forcave të ushtrisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën.

“Ne i kemi bërë thirrje Serbisë që t’ tërheqë forcat nga kufiri dhe t’i ulë tensionet. Ne kemi vërejtur tërheqje të disa forcave dhe pajisjeve përgjatë kufirit të Kosovës prej 29 shtatorit dhe presim që Serbia të vazhdojë hapat e de-përshkallëzimi, duke përfshirë tërheqjen e vazhdueshme të forcave deri në normat historike ose nën to”, ka thënë Patel.

(r.m.)