Nga një bijë me familje të persekutuar, burgosur, dënuar nga diktatura komuniste, princeshë në Kështjellë Amerikane
Nga Keze Kozeta Zylo
E diela e 18 shtatorit në kështjellën e trashëgimisë në New Jersey ishte një dasmë ëndrrash realizuar nga çifti simpatik Julia Dilo dhe Emiljan Luma. Si miq të afërm të çiftit Eduard dhe Lida Dilo e mirëpritëm me shumë kënaqësi këtë festë të bukur familjare. Sa herë kam hyrë në këtë kështjellë për evente të ndryshme seç ka një magji që të bën “princeshë” që nga hapja e portës nga portierë me doreza të bardha, ari i derdhur në kornizimet e mureve, hekurave, shkallëve gjarpërushe, llambadarëve marramendës, dyshemeve mermeri dhe dekorimeve plot shije.
Tradita dhe modernja midis çiftit Julia dhe Emiljan Lumaj u realizua në perfeksion. Emiljani vjen nga Vermoshi pika më e largët e kufirit të Shqipërisë, ndërsa Julia nga Sheperi i Zagorisë në Jug të Shqipërisë. Çfarë lidhje e bukur! Ardhja e 100 krushqve, e 100 pëllumbave të bardhë do t’i quante Qemal Zylo ishte shumë emocionuese në drekën që organizoi Eduard Dilo. Ata na sollën nostalgjinë e dasmave tona të para, krushqit kur vinin merrnin nuset me kuaj jele bardhë. Printe Ati me flokë të bardha z.Gjekë me djemtë, nipër, vëllezër, kushërinj, printe fisi fisnik Lumaj për të marrë princeshen Julia në shtëpinë e tyre, në odat e Lumajve. Çfarë atmosfere krijuan, nuk mund t’i mbaja lotët kur shikoja këta djelmosha veshur si princa me nga një trëndafil të bardhë në xhepin e xhaketës dhe kërcenin e këndonin për këtë gëzim familjar. Në anen e familjes Dilo kishin ardhur dy vëllezërit e Eduardit, Ylli dhe Anastas Dilo, ata kishin ardhur nga Greqia. Princesha Julia po zbriste nëpër shkallë shoqëruar nga Ylli Dilo dhe motra e saj bukuroshe Anxhela. Ne mendje dhe në lotët që më rrokulliseshin pakuptuar vinin një mori furtunash qe t’i sjellë vendi ku u lindëm dhe u rritëm, por tashmë jemi shpërndarë nëpër botë atje ku na hodhën fatet. Natyrisht çdokush që shikonte Eduardin me lotët e babait që i fshinte heshturazi për t’i shpëtuar sadopak syrit të publikut prekej shumë, sidoqoftë ato ishin lot gëzimi, dhe të tille lot derdheshim përherë. Shikoja miken time të ëmbël dhe zemërmadhe Lidën, mamanë e nuses dhe i gëzohesha ditës së saj të shenjtë.
Ajo që më frymëzon më shumë, jashtë lluksit dhe panoramave që ata i meritonin plotësisht eshtë lidhja e çiftit dhe historia tejet e dhimbshme e familjes Dilo, ajo është një histori tragjike. Më frymëzon lidhja Veri-Jug, sepse gjithmonë ne kemi qenë bashkë, jemi si lisat me rrënjë që s’do të shkulen kurrë, mot pas moti.
E shikoja Julian në krahët e xhaxhait të saj, Yllin një publicist dhe studjues i shkëlqyer, e shihja duke vallëzuar me të atin Eduardin, një poet që sjellë poezi me shumë vlerë, i shihja të tre vëllezërit dhe në mendje me vinte gjithë historia e tyre e dhimbshme, por tejet frymëzuese dhe kombëtare, histori që e kam publikuar në mediet kryesore. Ata kanë pasur një fëmijëri të përgjakur dhe ky ishte shpërblimi nga diktatura që morën fëmijët dhe nipërit e intelektualit erudit të Kombit, Babait të Gramatikës së Gjuhës Shqipe Ilia Dilo Sheperi, “Nderi I Kombit”, “Mësues I Popullit”. Në “Memorandumin” drejtuar Patriarkanës së Stambollit dhe të shtetit fqinj që e dënuan me vdekje, si patriot i madh iu përgjegj me këto fjalë: “ Edhe po të më vrisni, edhe po të më therrni, në fytin tim do të lexoni Alfabetin Shqip”.
I Ati i tyre Margariti pas mbarimit të shkollës së Fullcit në Tiranë, punoi si mësues në Sheper dhe në Ballaban të Përmetit. Me vone vazhdoi studimet e larta në Athinë për matematikë, ku më vonë u burgos nga diktatura dhe vdiq me brenga dhe tortura. Xhaxhai i tyre provoi tmerrin e birrucave komuniste dhe të kampeve famëkeq të Kënetës së Maliqit dhe Spaçit. Gjyshin Ilia Dilo Sheperin e zhvarrosën dhe i hoqën zvarrë eshtrat rrugëve të fshatit. Xhaxhain tjetër Doktor Veterinar Mihal Dilo e shpallën “armik të popullit”, ndërsa më vonë vritet dhe masakrohet duke i nxjerrë sytë dhe prerë kokën tek pragu i shtëpisë nënë Kalopit, bashkëshortes së doktor Mihalit. Nëna e tyre Viktoria Xhamballo Dilo, edhe pse motra e dy dëshmorëve u keqtrajtua tmerrësisht, sytë e saj e dinë se ç’panë, shpirti i saj e di si i rriti fëmijët jetimë.
Në Amerike kanë pasur dy xhaxhallarë, intelektualë dhe politikanë klasi, Dr. Jani Dilo dhe Dr. Oresti Dilo. Në vitet 80-të kur filluan demostratat në Kosovë dhe u përgjakën rrugët e Prishtinës, ai ka mbajtur fjalimin në OKB për Kosovën, gjithashtu po nga foltorja e OKB-s, Dr. Jani Dilo, iu drejtua qeverisë së kuqe të Tiranës që: “Në Shqipëri veç burgimeve, interrnimeve e dënimeve me ose pa gjyq, qeveria grabit e sekuestron dhe gjithë reliket që ruajnë familjarët si gjë të shejtë nga të parët e tyre”. Dr. Oresti Dilo për aftësitë e tij të jashtëzakonshme në mjekësi u emërua Drejtor i përgjithshëm i spitaleve publike në New York. Pas shumë vitesh me përvojë hapi klinikën e vet private në Alpha New Jersey, ku punoi për 30 vjet si doktor në atë zonë.
Nuk kishte gëzim më të madh për prindërit e dhëndrit, Gjekën, Prenën, vëllain Ermalin dhe Mersidën si dhe tri vajzat e tij si petale trendafili. Xhaxhai Koleci kishte ardhur nga Shqipëria. Familja Lumaj është shquar gjithmonë për mikpritje e bujari. Ata janë stërnipërit e Prenk Calit një tribun dhe Hero i popullit që ka mbrojtur me gjak në tridhjetë vjetët e parë të Shekullit të XX-të kufirîn e Atdheut të vet në Alpet e Shqipërisë kundër serbëve pushtuesë. Ai u pushkatua nga diktatura hoxhiste. Prenk Calit në kohën e demokracisë, i kanë ngritur monumentin në Shkodër. Xhaxhai i Julias Ylli tregon se kur kam biseduar me Muntaz Dhramin që e ka realizuar monumentin e Tij dhe të Enverit i thashë: “Të Enverit e ke bërë me dashuri, si ka mundesi që punove dhe të ketij po me dashuri? Skulptori iu pergjigj: E punova me shumë dashuri, kur mësova se cili ishte Prenk Cali ngase Veriun e Shqipërisë e kemi prej Tij.
Në emër të familjes Lumaj, përshëndeti plot emocion poeti Gjovalin Lumaj i cili thotë: “Madhështore, e bukur kjo kështjellë, por shumë më e madhe, më e bukur, më domethënëse bëhet kjo kështjellë, sepse ju na nderuat me pjeëmarrjen tuaj. Zoti i bekoftë bashkimet shqiptare dhe i lartësoftë këto kështjella.
– Duke uruar çiftin ai recitoi vargje të krijuara enkas për atë ditë: Emiljan e Julia, trashëgime, lumturi/ Kjo është mrekulli/ Kur brezi yne i ri/ Me dashuri e besnikëri/ Bashkojnë Jug dhe Veri. Kështjella u “pushtua” nga 800 dasmorë të krahinave të ndryshme, si Kelmendi, Malësia, Kosova, Vuthaj, Plavë- Gucia, Sheperi, Shkodra, Tirana, Korça, Gjirokastra, Tepelena, Arrëz e Madhe, Mezhgorani, Fieri e shumë qytete të tjera.
Dasmën dhe çiftin Lumaj i bekoi Dom Pjetër Popaj, Famullitari i Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork. Fjala e Tij plot atdhetarizëm dhe me besim tek Zoti si dhe me një shqipe të kulluar u mirëprit me plot dashuri dhe adhurim nga dasmorët. Ai i bekoi: Julia dhe Emiljan u trashegofshi për jetë dhe mot! E mbushçi me fëmijë një qytet të tërë!
Dasmorët janë argëtuar me artistin e shquar Hajro Ceka, Anxhela Peristeri e ardhur nga Tirana, këngëtarë nga Shkodra si dhe orkestra profesioniste. E veçantë ishte edhe kënga përshëndetëse e këngëtarit të njohur Kelmendas Luigj Tinaj kushtuar çiftit të ri dhe familjes. Dasma u filmua nga kompania e mirënjohur ne USA “Alba Pro” me themelues Amir Suka.
Ja të gjitha këto më vinin në mendje kur Julia kërcente dhe vallëzonte në krahët e bashkëshortit të saj dhe me gjithë fisin fisnik Lumaj që e rrethonin. Ajo kërcente dhe unë lehataz këndoja nën buzë: Shine Julia, Shine!. Ndriço Julia, ndriço, se shpirti i stërgjyshit dhe gjyshërve të ty të prekin nga qielli dhe të puthin në ballë, kur të shohin nuse me vello të bardhë si bora e virgjër e Sheperit dhe e Vermoshit. Të bekojnë për këtë Dasmë Veri-Jug në një Kështjellë Amerikane, New Jersey, për atë bashkim që ata aq shumë luftuan.
U trashëgofshi dhe u mplakshi bashkë!
18 Shtator, 2022
New Jersey