Nga Astrit Lulushi
Idilike, një grimcë e vërtetë humori me vend – por gjithmonë e zgjuar dhe informuese – kjo është historia e Nexhmie Zaimit dhe e fëmijërisë së saj në dheun e Shqiponjave. Me këto fjalë e priti shtypi amerikan. Më 1937, kur Daughter of the Eagle u botua në New York, mori vlerësime si libri i parë i shkruar ndonjëherë në anglisht nga një shqitare e re, Ajo ishte 20 vjeç. Nexhmie Zaimi paraqet me stil të çuditshëm dhe sharm konfliktin dramatik midis zakoneve të lashta dhe piktoreske të vendit dhe miqve modernë. Ajo fillon me kujtimet më të hershme, fëmijë tre a katër vjeç, në tokën e mbushur me lule, mes shkëmbinjve të zymtë, me det që thyhet rrëzë shpateve malore; mbuluar me hardhi, fiq e ullinj.
Zaimi vazhdon historinë e saj përmes një fëmijërie emocionuese, të gëzuar, me verën e ëmbël, dhe mbrëmjet, kur fyelli i bariut, “melodi trishtimi”, jehonte nga kodrat. Por më e çuditshme dhe e tmerrshme bëhej natyra kur vinin erërat e tërbuara nga Adriatiku për të “hedhur njerëzit në rrugë si leckë, për të copëtuar ullinjtë dhe për të shkulur pemët me rrënjë dhe qindra fole zogjsh”.
Vitet e vajzërisë paraqesin një tablo të dorës së parë me interes dhe vlera historike të një toke që sapo i është dhënë pavarësia dhe liria pas shumë shekuj shtypjeje. Sfidimi i autores ndaj traditës shekullore për gratë, refuzimi i saj për t’u “mbuluar” në një vello, vendosmëria e palëkundur për të marrë një arsim të lartë – poshtërimet për familjen e saj – të gjitha bëjnë një histori tronditëse që lexuesit do t’i rrijë në mendje për shumë kohë. Siç e mbyll librin mes konliktit të brezave: “Ishim në zbritje, hap pas hapi, duke lënë pas Libohovën. A mundet babai pranë një dritareje, të shikojë vajzën duke ikur. Apo nuk mund ta shqetësonte lutjen e tij të shenjtë?”
Kush ishte Nexhmie Zaimi
Ndoshta pak njerëz nuk e dinë. Nexhmie Zaimi lindi në Libohovë, Shqipëri më 14 maj 1917, vdiq më 18 prill 2003 në Santa Barbara, Kaliforni. Ishte autore dhe gazetare e njohur shqiptaro-amerikane.
Në Shqipëri, Nexhmia ishte dymbëdhjetë vjeç, kur babai i thoshte vazhdimisht se do të duhej të vinte vellon sa herë që dilte nga shtëpia. Kur i dha vellon, pa thënë asnjë fjalë, ajo hapi dritaren dhe e hodhi mbi çatinë e fqinjit, ku ajo shkonte herë pas here. Babai i zemëruar e quajti “dhi e egër”. Ky akt rebel do t’i jepte tonin jetës së saj.
Nexhmia ishte një nga gjashtë vajzat e para që ndoqi shkollën e mesme në Shqipëri, shkollë e udhëhequr nga misionarët amerikanë presbiterianë në Kavajë.
Në kujtimet e saj nga takimi i parë me Fan Nolin, Nexhmie Zaimi shkruan:
“Ishte prill i vitit 1924, kur u takova për herë të parë me Nolin në qytetin e Vlorës. Ai kishte ardhur aty për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Avni Rustemit. Në karrocën me të cilën shkonim në funeral, bashkë me mua dhe prindërit e mi, ishte edhe nëna e Avni Rustemit, që herë pas here lotonte dhe qante me dënesë. Ky çast mortor u bë shkak të njihesha me Fan Nolin, i cili ndjehej shumë i dëshpëruar për humbjen e papritur të Avniut, që siç thoshte ai, kishte qenë një patriot i rrallë.
Mbaj mend që nëna ime Sherifja, gjatë atyre ditëve vuri në dritaret e shtëpisë pëlhurë të zezë. Ndërkaq, nëna e Avniut për ditë të tëra pas kësaj ndenji në shtëpinë tonë”.
Po me Nolin, Nexhmije Zaimi do të takohej më vonë në Nju Jork dhe të dy bashkë do të bëheshin ndër protagonistët kryesorë të federatës atdhetare “Vatra”.
Ndërsa ishte adoleshente në Shqipëri, familja e saj që ndiqte me rigorozitet traditat u përpoq ta martonte me detyrim. Ajo u largua nga Shqipëria dhe u bë gruaja e parë shqiptare me arsim të lartë në Kolegjin Wellesley, dhe shpejt u bë shtetase amerikane.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Nexhmie shkoi në Itali, ku punoi për disa vite duke ndihmuar shqiptarët dhe refugjatët e tjerë që ishin arratirur në Itali nga vendet komuniste. Ajo kaloi disa kohë në Kalabri duke u njohur me historinë e shqiptarëve arbëreshë dhe dialektin e tyre mesjetar të shqipes. Pikërisht për punën me refugjatët dhe kontributin e jashtëzakonshëm që dha në ndihmë të tyre, Nexhmie u dekorua me çmimin “Comandatoressa della Coronna d’Italia”, dhe u vlerësua me një nga medaljet më të mëdha italiane të artit. Gjatë viteve të shërbimit në zonë ajo shkroi edhe një ditar, duke regjistruar kronikën e plotë të veprimtarisë së saj në Itali.
Pastaj ndoqi Shkollën Pasuniversitare të Gazetarisë të Universitetit Kolumbia në New York, dhe u martua me Henry M. Margolis, një avokat dhe biznesmen i njohur në vitet 1940. Më 1943, ata bënë një djalë, Eric Margolis, dhe u divorcuan në fillim të viteve 1950. Sot Eric S. Margolis është gazetar dhe shkrimtar. Për gati 30 vjet, duke përfunduar në 2010, ai ishte një redaktor kontribues në rrjetin e gazetave Toronto Sun, duke shkruar kryesisht për Lindjen e Mesme, Azinë Jugore dhe Islamin.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nexhmie Zaimi punoi për Zyrën e Shërbimeve Strategjike (OSS) paraardhëse e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA. Pas luftës, mori një rol shumë aktiv në çështjet shqiptaro-amerikane, duke u bërë kryetare e degës së Shoqatës Pan Shqiptare, Vatra, në New York. Ajo ndihmoi të arratisurit shqiptarë dhe ndihmoi familjen e saj në Shqipëri. Nexhmie Zaimi punoi për disa kohë për radiot Zëri i Amerikës dhe Evropa e Lirë. Vehbi Bajrami shkuan në ”Shqiptarët e Amerikës” se në fillim të viteve 1950, ajo ishte një nga gazetaret e para amerikane që raportoi nga Lindja e Mesme, ku intervistoi udhëheqësit e Egjiptit Gamal Abdel Nasser, Anwar Sadat dhe mbretin Husein të Jordanisë. Nexhmie Zaimi ishte gjithashtu një nga gazetaret e para që shkroi dhe ligjëroi gjerësisht për refugjatët palestinezë, gjendja e të cilëve ishte praktikisht e panjohur në atë kohë në Shtetet e Bashkuara. Ajo paraqiti një studim në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, në të cilin paralajmëroi se nëse problemi i refugjatëve palestinezë nuk zgjidhet, ai do të shpërthejë në fytyrën e Amerikës pas pesëdhjetë vjetësh. Karriera e saj e transmetimit dhe të folurit u ndërpre pasi gazetat për të cilat ajo shkruante u vunë nën presion. Zaimit iu bënë kërcënime të vazhdueshme kundër saj dhe jetës së djalit të saj, thotë Eric Margolis.
Siç do të përcillte për mediat amerikane, në intervistën me mbretin e Jordanisë, Nexhmie Zaimi do të vendoste në fletore edhe përshtypjet e para për kreun e këtij vendi arab. “E kuptova që në momentet e para”, shkruante në anglish gazetarja shqiptare. “Ishte i sjellshëm në bisedë dhe herë pas here gjërat që i konsideronte të rëndësishme i përsëriste dy herë, në mënyrë që mesazhi të arrinte i plotë dhe i qartë tek lexuesi i thjeshtë.” Në vijim të kujtimeve të bisedës me Mbretin Husein, Nexhmie Zaimi nënvizon një tjetër detaj për momentet e ndarjes me të. “Kur mbaruam intervistën, mbreti Husein më tha se do të më shoqëronte në dalje të pallatit mbretëror. Madje theksoi se kishte rezervuar edhe një surprizë për gazetaren shqiptare që kishte ardhur nga larg për të dëgjuar mendimin e tij. “Teksa zbritëm shkallët e pallatit, në të dyja anët e tyre u nderuam me një rreshtim të 60 rojeve të Pallatit – të gjatë e të veshur me uniformë ceremoniale. Mbreti Husein më tha se mund të komunikoja me ta. Anglisht? i thashë. “Jo shqip”, më tha duke u ndalur para tyre. “Shqip?! “Po, po shqip”, këmbënguli Mbreti Husein. “Si ka mundësi?” e pyeta e habitur. “Këta janë të gjithë shqiptarë”, shpjegoi Mbreti surprizën që kishte vendosur të më bënte në ndarje. Kur e pyeta pse kishte zgjedhur shqiptarët për roje të tij, Mbreti Husein shpjegoi se ata janë besnikë dhe trima. Këto kishte përgatitur të përcillte Zaimi për mediat amerikane, në intervistën me mbretin e Jordanisë,
Gjatë kësaj periudhe, zonja Zaimi vuante nga glaukoma dhe sëmundje të tjera të syrit që e penguan të shkruante një libër tjetër si Daughter of the Eagle. Ajo punoi për komunitetin shqiptar në Nju Jork dhe Nju Xhersi, duke përkthyer në Gjykatat Penale, duke u angazhuar në aktivitete komunitare dhe duke ndihmuar refugjatët e luftës në Evropë. Ajo gjithashtu jetoi për disa kohë në Paris, Romë, Gjenevë dhe Kajro. Nexhmie Zaimi ishte një zë i fortë në SHBA kundër regjimit komunist të Shqipërisë. Shtëpia e saj në Manhatan ishte vazhdimisht e mbushur me gazetarë, artistë, shkrimtarë, diplomatë, staf të OKB-së dhe vizitorë nga Evropa dhe Lindja e Mesme. Për shkak të fillimit të verbërisë, Nexhmie Zaimi u largua me dëshirë nga Nju Jorku në vitet 1980 dhe u vendos në një komunitet pensionistësh në Santa Barbara, Kaliforni. Në fund të viteve të 80-ta, ajo u kujdes për tre fëmijë nga Kosova të cilët u plagosën rëndë në një aksident ajror të NATO-s. Zonja Zaimi vazhdoi të shkruante librin e saj të dytë deri në vdekjen e saj. Duke qëndruar krenare dhe sfiduese deri në fund, në vitin 2003, trupi i saj u dorëzua përfundimisht. Lidhjet e Nexhmës me familjen e saj në Tiranë kanë qenë gjithmonë shumë të ngushta. Ajo nuk i takoi për dekada, por kujtesa e saj për Shqipërinë dhe dashuria për familjen mbetën gjithmonë shumë të forta. Ajo vuante vazhdimisht nga frika se familjarët e saj do të arrestoheshin dhe torturoheshin, apo edhe vriteshin nga sigurimi i shtetit, veçanërisht kur ajo u bë e famshme në çështjet politike shqiptare në SHBA. Në shumë prej analizave të saj në mediat amerikane, duke filluar nga CNN, ajo, duke promovuar vlerat më të mira të shqiptarëve, goditi me forcë regjimin komunist të vendosur në Shqipëri menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Nexhmia nuk i prishi për asnjë moment lidhjet me vendlindjen dhe ishte gjithmonë krenare që ishte shqiptare. Në fund të viteve 1940, 1950 dhe 1960, Nexhmie u përpoq të shpëtonte familjen e saj nga uria, duke dërguar ngarkesa të rregullta me ushqime dhe veshje. Kështu ndodhi edhe kur kishte pak para dhe pas divorcit në vitin 1949. Familja e saj në Tiranë u shpall “Armik i Popullit” nga komunistët, vetëm sepse të afërmit e saj kishin ndjekur shkollën amerikane. Situata e tyre politike u rëndua edhe nga fakti se Nexhmie dhe vëllai i saj Muhamedi kishin shërbyer për disa kohë si përkthyes
në Ambasadën Britanike në Tiranë. Angazhimi i saj si një nga gazetaret e njohura në mediat perëndimore e përkeqësoi edhe më shumë pozitën e familjes së saj në Tiranë. Ajo vizitoi Shqipërinë dy herë: herën e parë në 1939 dhe herën e dytë shkoi në 1986 kur autoritetet komuniste i thanë se ishte e padëshirueshme a “non grata”.
Në Nju Jork ajo njihej gjerësisht si “Zonja e Parë e Shqipërisë”, thotë Bexhet Çobani, dhe Italia i kishte dhënë titullin e lartë “Kalorës Komandant i Kurorës”.