Strasburg, 17 dhjetor 2021 – Parlamenti Evropian, në debatin për Serbinë që u zhjvillua të enjten, shprehu shqetësim të thellë për shkeljet e të drejtave të njeriut, për dhunën kundër protestuesve mjedisorë dhe për ndikimin në rritje të Kinës.
Eurodeputetët tërhoqën vrejtjen se Serbia po u jep Kinës dhe industrialistëve kinezë gjithnjë e më shumë privilegje, edhe kur ato janë në kundërshtim me ligjet e BE-së. Ata shprehën shqetësimin e tyre edhe për ndikimin në rritje të Kinës në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.
“Në Serbi nuk janë të pakta rastet e ndikimeve të jashtme, përmes investimeve të dyshimta që nuk janë në përputhje me ato evropiane, e të cilat rezultojnë me punë të detyrueshme”, tha eurodeputeti kroat, Tonino Picula, i cili është njëri ndër bashkautorët e projekt-rezolutës për Serbinë.
Disa ligjvënës evropianë e kritikuan Brukselin edhe për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, në rrethanat aktuale.
“Vendimi i Komisionit Evropian për hapjen e një grupi negociatash me Serbinë për çështje mjedisore pas sulmeve të dhunshme të huliganëve të Vuçiqit ndaj protestuesve mjedisorë nuk e ndihmon besueshmërinë e BE-së”, tha Picula.
Edhe eurodeputeti kroat Tomislav Sokol, i cili foli në emër të Partive Popullore Evropiane, ishte kritik ndaj vendimit të Komisionit Evropian për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave me Serbinë.
“Serbia nuk mund të hyjë në BE derisa nuk e zgjidhe çështjet themelore që lidhen me sundimin e ligjit, ku hyn edhe edhe procedimi i krimeve të luftës, ndriçimi i fatit të personave të zhdukur gjatë agresionit në Kroaci dhe mbrojtja e të drejtave të komuniteteve pakicë”, u shpreh ai.
“Presidenti Vuçiq kurrë nuk ka qenë realisht besnik ndaj ideve dhe vlerave evropiane”, theksoi Sokol.
Eurodeputetja gjermane Viola von Cramon – Taubadel, nga grupi i të Gjelbërve, bashkautore e projekt-rezolutës, tha se protestat në Serbi nuk kishin të bënin vetëm me mbrojtjen e mjedisit dhe me ligjin e referendumit, por edhe me luftën kundër korrupsionit në Serbi. Ajo theksoi se Bashkimi Evropian nuk duhet të bëjë kompromis me standardet për vendet që hyjnë në BE.
(r.m.)