Uashington, 12 qershor 2023 – Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të ballafaqohet në gjykatë të martën me akuzat për mbajtje të paautorizuar të dokumenteve sekrete. Kjo është hera e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, që ndaj një ish-presidenti të ngrihen akuza federale. Ngritja e aktpadisë ka shkaktuar debate që sa vijnë e intensifikohen, kryesisht përgjatë linjave partiake.
Debatet publike po ziejnë në prag të daljes së zotit Trump para një gjykate në Florida të martën lidhur me aktpadinë e fundit. Ai përballet me 37 akuza, përfshirë pretendimet për mbajtje të qëllimtë të dokumenteve sekrete të mbrojtjes, konspiracion, pengim të drejtësisë dhe deklarata të rreme.
“Ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është hera e parë në historinë amerikane që ndaj një ish-presidenti ngrihen akuza federale. Nga perspektiva ligjore, muret rreth ish-presidentit Trump po mbyllen”, thotë James Sample, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Hofstra.
Senatori republikan Lindsey Graham tha gjatë emisionit “This Week” të kanalit ABC, se akuzat janë përpjekje, siç tha ai, për ta ‘delegjitimuar’ ish-presidentin.
“Akuzat për spiunazh nuk do ta ndryshojë mbështetjen time për Donald Trump-in. Ai është i pafajshëm derisa të provohet fajtor. Shumica e republikanëve besojnë se ligji tani është një mjet politik”
Nuk ka asnjë provë që hetimi i dokumenteve sekrete, i drejtuar nga prokurori i posaçëm Jack Smith, po përdoret politikisht, tha për rrjetin ABC senatori demokrat Chris Coons.
“Edhe pse Presidenti Trump kaloi në ofensivë mbrëmë, ka sulmuar Departamentin e Drejtësisë, ka bërë thirrje për heqjen e fondeve për FBI-në. Mbetem i bindur se ai do të përballet me procesin e duhur ligjor që i takon. Përfundimisht, një juri e përbërë nga qytetarë amerikanë do të përcaktojë nëse akuza është e drejtë dhe nëse ai ka shkelur apo jo ligjin”.
Zoti Trump njoftoi në rrjetin e tij Truth Social për ngritjen e akuzave, duke shkruar me shkronja të mëdha se ishte i pafajshëm. Asnjë ish-president amerikan nuk është përballur me akuza federale.
Në një intervistë për kanalin “Fox News”, ish-Prokurori i Përgjithshëm amerikan William Barr, i cili shërbeu nën zotin Trump, e kritikoi ashpër sjelljen e pamatur të ish-presidentit, ç’ka nxiti hetimet.
“Planet luftarake për një sulm ndaj një vendi tjetër, ose dokumentet e Departamentit të Mbrojtjes në lidhje me aftësitë tona, nuk janë dokumente personale të Trumpit. Mendoj se qeveria veproi me përgjegjësi. Ata i dhanë çdo mundësi për t’i dorëzuar këto dokumente”.
James Sample, profesor i së drejtës kueshtetuese në Universitetin Hofstra, thotë se në Shtetet e Bashkuara të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
“Nëse i keni gënjyer prokurorët federalë, nuk ka rëndësi nëse je ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara. Megjithëse ky është një rast serioz dhe i zymtë, në fakt është shembull i një prej gjërave pozitive të Amerikës, llogaridhënia para ligjit pavarësisht se kush je”.
Për momentin, mbështetja për Trump-in është e fortë, madje edhe në mesin e republikanëve që po e sfidojnë atë për të marrë emërimin e partisë për garën presidenciale të vitit 2024.
Kandidati republikan Vivek Ramaswamy foli në programin “State of the Union” të kanalit CNN.
“Personalisht nuk kam asnjë besim tek ato akuza të paqarta. Por nëse janë të vërteta, mendoj se kjo reflekton një gjykim të keq. Jam skeptik që kjo është e vërtetë, por në fund të fundit, nuk mund të ngatërrojmë një gjykim të keq me shkeljen e ligjit”.
Nëse gjendet fajtor zoti Trump mund të përballet me burg. Por ekspertët ligjorë thonë se nuk ka ligj që ta ndalojë atë të kandidojë për president.
(Zëri i Amerikës)