Ankara, 3 nëntor 2022 – Në Turqi, e drejta e grave për të mbuluar kokën me shami fetare është bërë sërish temë e debatit politik. Me zgjedhjet më pak se një vit larg, drejtuesit e partive kryesore politike po zotohen të garantojnë ligjërisht të drejtën e grave për të mbajtur veshje fetare, një çështje që për dekada ishte në qendër të një beteje të ashpër politike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli.
Me zgjedhjet presidenciale qershorin e ardhshëm, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kreu i partisë kryesore opozitare CHP, Kemal Kilicdaroglu, po zotohen të sigurojnë ligjërisht të drejtën e grave për të mbajtur shami fetare.
Disa analistë thonë se heqja e kufizimeve për veshjet fetare nga Erdogani një dekadë më parë, është një nga arritjet e tij më të mëdha.
“Ndalimi i shamive në Turqi pengoi shumë gra të merrnin pjesë në sferën publike dhe të arsimoheshin. Kështu ishte në të kaluarën. Këto gra e kaluan këtë traumë. Ka ende disa që nuk mund t’u kthehen profesioneve të tyre”, thotë Emine Ucak, gazetare për gazetën Perspektiva.
Gjatë gjithë viteve 1990 dhe fillimin e viteve 2000, studentet që mbanin shami u ndaluan të ndiqnin universitetet, të bëheshin avokate, ose gjyqtare, apo edhe anëtare të parlamentit.
Partia pro-laike CHP ishte një avokate e fortë e ndalimit të shamive, duke mbajtur mitingje masive, por tani po kërkon miratimin e ligjit për të garantuar të drejtën për të mbajtur shaminë.
“Besoj se CHP-ja ka patur pasoja për këtë qëndrim, për ato kufizime, për ato ndalime, etj. Një hap të tillë e shoh shumë, shumë të suksesshëm në kuptimin e përqafimit më shumë të shoqërisë. Ky është një hap i madh”, thotë analistja politike Istar Gozaydin.
Ndryshimi i CHP-së vjen pasi nën sundimin prej dy dekadash të Erdoganit, një brez i tërë u rrit pa barriera të tilla.
Është shfaqur gjithashtu një klasë e mesme fetare konservatore dhe e përparuar. Disa analistë thonë se tani janë më të shqetësuar për problemet aktuale ekonomike të vendit me inflacionin gati të trefishuar, sesa me debatet e kaluara fetare.
“Shumë nga debatet që patën prindërit e tyre nuk janë probleme të fëmijëve tani. Të marrim shembullin e një vajze me shami që ka arsimin e saj universitar. Lufta e saj tani nuk është më për të mbajtur vellon. Lufta e saj është për të marrë një arsim më të mirë dhe një punë më të paguar”, thotë Can Selcuki me grupin ‘Istanbul Economics Research’.
Por Erdogani po kërkon të zgjerojë debatin duke bërë thirrje për reformë kushtetuese, që jo vetëm garanton të drejtën për të mbajtur shaminë, por mbron familjen nga ato, që ai i quan prirje perverse – një referencë për lëvizjen LGBT.
“Ka një nënvizim të fortë të vlerave familjare, të mbrojtjes së familjes, etj. Dhe më shumë ka të bëjë, jo vetëm me çështjen e shamisë, të cilën unë e konsideroj mjaft anësore për momentin, por më shumë me grupet LGBT plus, etj. Pra, ai po përpiqet të krijojë një axhendë kundër këtyre grupeve brenda qarqeve konservatore”, thotë analistja politike Istar Gozaydin.
Tashmë, po ndodhin goditje ndaj shfaqjeve publike dikur të ligjshme të komunitetit LGBT të Turqisë.
Protestat anti-LGBT kanë nisur, ndërsa partitë po përpiqen të hartojnë strategjitë politike përpara atyre, që parashikohen gjerësisht të jenë, zgjedhje shumë të kontestuara.
(Zëri i Amerikës)