Prishtinë, 18 prill 2024 – Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në bazë të informacioneve që kanë autoritetet, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është dërguar në paraburgim prej 48 orësh nga autoritetet serbe.
Jankoviq, që u ndalua më 17 prill në pikëkalimin kufitar të Jarinjës – që lidh Kosovën me Serbinë – sipas Sveçlës, po akuzohet për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.
Gjatë një konference për media, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Sveçla tha se një ditë më parë “së paku 1.498 qytetarë janë ndaluar, maltretuar, e disa arrestuar e marrë në pyetje lidhur me të kaluarën e tyre, lidhjet e tyre me UÇK-në, pjesëmarrjen e tyre në UÇK apo të familjarëve të tyre si dhe vendndodhjes apo veprimtarisë së tyre më 1998-99”.
Sveçla tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është duke u interesuar për shëndetin e Jankoviqit dhe që t’i ofrohet mbrojtja e duhur ligjore.
Ai bëri thirrje për lirimin e Jankoviqit dhe të qytetarë të tjerë të Kosovës që janë arrestuar në Serbi.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë konfirmoi për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug, se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është ndaluar për 48 orë dhe se masa e paraburgimit i është caktuar “për të vërtetuar faktet dhe për t’u bërë kontrollet e nevojshme lidhur me sigurinë e Republikës së Serbisë”.
Më parë kjo ministri pranoi se disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë ndaluar në pikat kufitare me Kosovë, gjatë kontrolleve të sigurisë.
Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se nuk ka më informacione për arrestimin e policëve të Kosovës.
“Por, unë mund t’i lavdëroj pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mund të them se ata po e bëjnë punën e tyre”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Bërnabiq ka thënë se supozon që “më në fund njerëzit iu përgjigjën thirrjeve” për mbrojtjen e rendit kushtetues të Serbisë.
Kështu ajo i është referuar paralajmërimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se organet e sigurisë do të kundërpërgjigjen ndaj arrestimit të qytetarëve srbë nga organet e rendit dhe ligjit në Kosovë. Vuçiq e ka bërë këtë paralajmërim pas arrestimit të Sreçko Sofronijeviqit, i cili ishte në kërkim si pjesëmarrës në përplasjet e serbëve me policinë e Kosovës kundër aksionit për parandalimin e kontrabandës me mallra në pjesën veriore të Kosovës.
(r.m.)