Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 – gurë themeli i Shtetit të Kosovës

Prishtinë, 2 korrik 2023 – Sot në Kosovë u shënua 33 vjetori i Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.

Miratimi i kësaj deklarate, e cila e shprehu vullnetin politik të popullit të Kosovës për Republikë, u bë në kushte të shtetrrethimit, nën kërcënimin e forcave të mëdha të policisë serbe. 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovë, sfiduan forcat e mëdha që policisë serbe, e cila kishte detyrë të shtypte vullnetin e popullit për Republikë. Ata e miratuan Deklaratën Kushtetuese përballë kërcënimeve me burgosje e represalje, madje edhe përballë kërcënimeve me jetë.  

Në 33 vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, autoritetet shtetërore e politike të Kosovës e vlerësuan atë si aktin e parë të historisë së jetësimit të aspiratës shekullore të popullit të Kosovës për liri e pavarësi.

Osmani: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënoi kthesë në historinë  tonë për liri dhe pavarësi

Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, në një dedikim për këtë përvjetor, e cilësoi Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut si “ngjarje emblematike” të historisë së përpjekjeve shekullore të popullit të Kosovës. Ajo theksoi se 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës,me këtë akt kanë vënë ”gurin themeltar të shtetit të Kosovës”.

“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë.

Akti i tyre dëshmoi se rruga e bërjes së shtetit kërkon përkushtim, sakrificë dhe guxim.

Delegatët e asaj kohe i gërshetuan këto të tria, duke vërë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt 2008.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi.

2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase  themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe.

Urime 2 Korriku, qoftë e përjetshme Republika e Kosovës!”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani.

Konjufca: Deklarata Kushtetuese – zëri unitar i vullnetit politik të popullit të Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, shprehu nderimet më të larta për delegatët e Kuvendit të Kosovës që e kishin miratuar Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990. Ai tha se, me aktin e tyre, ata “vendosën një nga gurët themelorë nëpër të cilët ka ecur lufta e lavdishme e popullit tonë për liri dhe pavarësi”.

Sot bëhen 33 vite nga 2 korriku i vitit 1990, nga Deklarata Kushtetuese e Kosovës që u bë zëri unitar i përcaktimit të vullnetit politik të popullit shqiptar në Kosovë, në kuadrin kushtetues si akt vendimtar i përpjekjes historike kombëtare dhe i demokracisë autentike të popullit të Kosovës, brenda një procesi të pandalshëm për liri dhe pavarësi.

Në këtë akt shpaloseshin parimet afirmative për vetëvendosje të popullit dhe barazi mes kombeve, përballë regjimit të Serbisë që përmes shtypjes dhe represionit ruante dhunshëm asimetrinë mes rendit të qartë faktik dhe një përcaktimi juridik jashtë realitetit.

Pikërisht në këtë mospërputhje radikale, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut do të prodhonte atë çarje politike, prej ku pasoi dhe Kuvendi i Kaçanikut më 7 shtator 1990, kur Kosova shpallej republikë, Referendumi i vitit 1991 për pavarësi, zgjedhjet e para të vitit 1992 dhe lufta e UÇK-së për liri; e deri te shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt të 2008-ës.

Deklarata Kushtetuese është edhe sot shembull i shkëlqyer se çfarë do të thotë kur një popull i vendos ligjin vetvetes; se si kjo shënon përcaktim të drejtësisë në raport me vetveten dhe të barazisë në raport me tjetrin.

Nderimet më të larta për delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët më 2 korrik 1990, me aktin e tyre vendosën një nga gurët themelorë nëpër të cilët ka ecur lufta e lavdishme e popullit tonë për liri dhe pavarësi!”, shkruan Konjufca.

Kurti: Deklarata Kushtetuese – referencë për rrugëtimin tonë për republikën e parë të Kosovës

Ndërkaq, Kryeministri Albin Kurti e quajti Deklaratën Kushtetuese si “referencë për vlerat e kahjes politike të rrugëtimit të shqiptarëve të Kosovës, për republikën e parë të Kosovës”.

Në historinë e përpjekjeve për Republikën e Kosovës, data e 2 korrikut e vitit 1990, është një kapërcim i madh dhe i pakthyeshëm! Atë ditë të hënë, plot 33 vite më parë, 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, shpallën dhe miratuan një deklaratë kushtetuese, me anë të së cilës artikulohej vullneti politik i popullit që i kishte zgjedhur ata delegatë, për një Republikë të Kosovës.

E kërkuar veçanërisht nga demonstratat e vitit 1981 e tutje, Republika e Kosovës për të cilën u miratua kjo deklaratë kushtetuese, do të shpallej dy muaj më vonë më 7 shtator 1990 në Kaçanik, me anë të miratimit të një kushtetute nga po këta delegatë. Ndonëse atë kohë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës e viteve ’90-të të shekullit të kaluar, u jetua politikisht dhe u mirëmbajt intensivisht nga populli i Kosovës si një republikë për rezistencë ndaj Serbisë fashiste, e cila Kosovën e pushtuar në vitin 1912, po e mbante të okupuar nën Jugosllavi.

E hartuar si një ‘akt i vetëvendosjes politike’ duke u thirrur ‘në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve’, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, mbetet një dokument i çmuar historik, si referencë për vlerat e kahjes politike të rrugëtimit tonë si komb, për republikën e parë të Kosovës.

Duke kujtuar 114 delegatët që e nënshkruan Deklaratën e 2 korrikut 1990 dhe të gjithë ata që e mbajtën në këmbë Republikën e Kosovës të pasuar prej saj”, shkroi Kurti në Facebook.

(r.m.)