Nga Frank Shkreli
Me ftesën e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA kënaqësi të merrja pjesë në darkën solemne që kjo organizatë historike e shqiptarëve të Amerikës organizojë në nderim dhe respekt të Editorit të Diellit z.Dalip Greca me rastin e daljes së tij në pension.
Siç dihet, z. Greca për 12 vjet udhëhoqi me profesionalizëm, korrektësi dhe ndershmëri gazetën Dielli dhe në Vatër ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.
Nderimi në këtë darkë ishte një mirënjohje e vogël kundrejtë punës së madhe dhe vlerave që z. Dalip Greca kultivoi dhe transmetoi në Diell dhe Vatër për 12 vjet.
Darka e nderimit u organizua me datën 11 Korrik 2021 ditën e Dielë ora 6:PM në restorantin Tesoro D’Italia Restaurant, Pleasantville, Nju Jork ku morën pjesë më shumë se 100-të vatranë dhe miq e kolegë të ftuar të Dalipit. Fjala ime përshëndetse me këtë rast, si më poshtë:
“Përshëndetje i nderuar Kryetar i Federatës pan-Shqiptare Vatra, Z. Elmi Berisha, anëtarë të Bordit, pjesëmarrës dhe dashamirës të Z. Dalip, të Vatrës dhe gazetës Dielli. Një përshëndetje e veçantë, natyrisht, shkon për protagonistin kryesor të kësaj darke, z. Dalip Greca që na ka mbledhur sonte këtu për të shënuar daljen në pension nga detyra si Kryeredaktor i gazetës më të vjetër shqiptare, e që vazhdon të botohet për më shumë se një shekull.
Besoj se Dalipi, ashtu si edhe të gjithë ne që e kemi quajtur veten gazetarë gjatë karierës tonë, nuk i jemi përveshur këtij profesioni për tu pasuruar, as për nam e zë, sepse rrallë kush pasurohet në këtë zanat – por sepse jemi shtyrë nga një dëshirë për të kontribuar për të mirën e shoqërisë ku jetojmë dhe të kombit, pjesë e të cilit jemi – që nepërmjet gazetarisë së lirë – të përpiqemi të zbulojmë due të njohim të vërtetën, në llogari të mirës së përbashkët.
Vura re se në njoftimin e botuar në Dielli, Dalipi citonte të Madhin Faik Konica i cili ka shkruar në përvjetorin e parë të botimit të gazetës Dielli: “Me këtë numër, DIELLI mbush motin e parë të botimit të tij. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron nga ndonjë herë, rri mbi një gurë dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh se sa eci dhe ç’mbaroj gjer atje…”.
Sonte, z. Greca duhet të jetë shumë krenar “kur sheh se sa eci dhe ç’mbarojë gjer atje…” – krenar për të arriturat e tija gjatë këtyre 12 viteve si Kryeredaktor i Diellit, disa prej të cilave ai i radhit, modestësisht, në njoftimin për daljen në pension, e për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë e krenarë me punën e tij. Dalip Greca gjatë këtyre 12-viteve u përpoq — me sa pati mundësi dhe përball rrethanave të vështira, shpesh penguese dhe me burime tepër të kufizuara – ta ringjallte dhe ta kthente Diellin në vijën e përcaktuar nga themeluesit e tij mendje ndritur, ta këthente sado pak në misionin origjinal të tyre.
Nuk ishte e lehtë për Kryeredaktorin e Diellit të këtyre 12 viteve të fundit që të menaxhonte, si të thuash, një tranzicion të pritshmërive nga një brez vatranësh dhe lexuesish tek tjetri i shqiptaro-amerikanëve, sa i përket misionit dhe veprimtarisë ssë Vatrës dhe Diellit. Nuk ishte e lehtë që të plotësoheshin pritëshmëritë e të gjithëve – dhe as që të pajtoheshin mendimet dhe pritshmëritë e diasporës së vjetër të pas luftës së dytë botërore me ato të diasporës post komuniste të pas vitit 1990 – një sfidë kjo që besoj se me ndihmën e Kryesisë së Vatrës, Dalipi e menaxhoi si mundi dhe si është më mirë, duke konsideruar rrethanat e këtyre 12 viteve të kaluara. Kritikat e shqiptarëve ndaj Diellit ose medias në përgjithësi të kujtojnë letrën e Faik Konicës dërguar një të riu i cili dëshiron të hap një gazetë të re: “…Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën”, i ka shkruar, ndër të tjera, Faik Konica një miku të ri që donte të hapte gazetë.
Nën drejtimin e kryeredaktorëve të ndryshëm gjatë dekadave, gazeta Dielli — në periudhën e komunizmit në Shqipëri dhe gjëndjes në Kosovë — shkrimet dhe lajmet ia drejtonte pothuaj, ekskluzivisht, shqiptarëve të diasporës në Shtetet e Bashkuara. Nën drejtimin e Z. Greca — Dielli ka trajtuar edhe tema e subjekte me rëndësi mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, disa prej të cilave nuk i ka trajtuar media në trojet tona. Uroj që kjo vijë redaksionale të vazhdojë edhe pas mandatit të z. Greca. Më kënaq fakti që ndonëse ka vendosur të dalë në pension të merituar, Dalipi premton se nuk po i thotë, krejtësisht, lamtumirë Diellit as Vatrës!
Misioni i Vatrës dhe i Diellit nuk ka mbaruar as s’ka ndryshuar aq shumë gjatë historisë së tij prej më shumë se një shekulli. Veprimtaria historike e Vatrës dhe e Diellit ka gjithnjë barrën e rëndë për të ndjekur dhe për të mbrojtur besnikërisht interesat kombëtare të shqiptarëve kudo – të Shqipërisë dhe të Kosovës – dhe të jetë gjithmonë e gatëshme për të mbrojtur qendrimet e shqiptarizmit. Ashtuqë, siç është shprehur Ernest Koliqi me rastin e 50-vjetorit të gazetës Dielli, “Bashkatdhetarët e Amerikës, të cilët dijtën të ndërtojnë këtë qëndër të fortë atdhedashunie – duhet sidomos sot të jenë në naltësinë e misjonit historik që u përket, mbasi jetojnë e veprojnë në prehën të Demokracisë së Madhe Amerikane, në dorë të cilës është fati i botës, e prandej edhe i vendit tonë.”
Rreth Vatrës e Diellit, ky ishte privilegji, roli dhe përgjegjësia e brezave të kaluar të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve – për aq sa dinin e kishin mundësi — anë e mbanë trojeve të veta. Ky rol dhe këto përgjegjësi mbeten të tilla edhe për brezat e sotëm dhe të ardhëshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, në frymën dhe shembullin e dy kampionëve të mëdhej të shqiptarizmit dhe themeluesve të Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe organit të saj Dielli, At Fan Nolit dhe Faik Konicës.
Misioni i Vatrës dhe i Diellit vazhdon dhe i takon këtij brezi të ri sot ta çojë Vatrën e Diellin përpara, ndërsa gjithnjë do të kini mbështetjen e Dalipit pasi ai nuk tha “lamtumirë” — por pas kaq vitesh punë, ai ka vendosur, me të drejtë, për pak çlodhje dhe pak dëfrim të merituar.
Më në fund dua të falënderoj sinqerisht Kryetarin e Federatës Pan- Shqiptare Vatra, Z. Elmi Berisha dhe Kryesinë e Vatrës për organizimin e kësaj darke për Dalipin dhe për ftesën për të qenë me ju sonte. Jam i bindur se me urtësi e durim, nën drejtimin tuaj — me energji të reja të një brezi të ri shqiptaro-amerikanësh që shoh sonte këtu në numër të madh — Dielli dhe Vatra – kanë mundësinë due talented që të vazhdojnë të shërbejnë si qendra bashkimi për të gjithë shqiptarët pa dallim – të vetdijshëm për kontributet historike dhe për përgjegjësitë e Vatrës dhe të Diellit, si organizatat më të vjetra dhe më përfaqsuese të gjithë shqiptarëve të Amerikës.
Me këtë rast desha të shpreh një falënderim të veçantë Dalipit dhe Kryesisë së Vatrës që, gjatë këtyre 15 viteve të fundit, gazeta Dielli ka vazhduar, pa përjashtim, të botojë shkrimet e mia modeste. U jam mirënjohës!
And finally, Mr. Greca –Having been retired for 18 years now, I highly recommend it. Take it from me, I think you have made the right decision. I wish you a long, healthy retirement, my friend. I know you’ll be busy but enjoy your well-deserved time off. I am sure your family is very happy with your decision as well.
Nga unë dhe bashkshortja ime Viki, urimet tona me të përzemërta, Z. Dalip! Shëndet e jetë të gjatë!”.