Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Për herë të parë që nga viti 2016, Shërbimi i Nënshtetësisë dhe i Emigracionit të Shteteve të Bashkuara (USCIS) ka bërë publike rregulloren definitive për rregullimin e tarifave të aplikimeve të emigracionit dhe të natyralizimit. USCIS-i pretendon se kjo rregullore do të bëjë të mundur mbulimin e një pjese akoma më të madhe të kostove operative si dhe do të influencojë pozitivisht në procesimin më të shpejtë të aplikimeve të reja. Rregullorja definitive është rezultat i një rishikimi tërësor të tarifave. USCIS-i pretendon se plani aktual i tarifave nuk është në gjendje të mbulojë koston e plotë të aktivitetit të kësaj agjencie, ku përfshihen zgjerimi i domosdoshëm i programeve humanitare, rritja e detyruar e pagave me mandat federal, nevojat shtesë për personel dhe investime të tjera thelbësore.
“Për herë të parë në më shumë se shtatë vjet, USCIS-i po përditëson tarifat në mënyrë që të përmbushë më mirë nevojat e agjencisë sonë, duke mundësuar dhënien në kohë të vendimeve atyre që u shërbejmë,” tha drejtori i USCIS-it Ur M. Jaddou. “Megjithëse për vite të tëra financimi ka qenë i pamjaftueshëm, punonjësit e USCIS-it kanë bërë hapa të mëdhenj në drejtim të punës për t’u shërbyer klientëve, në zvogëlimin e numrit të çështjeve të prapambetura, në zbatimin e proceseve dhe programeve të reja si dhe në ruajtjen e drejtësisë, integritetit dhe respektit për të gjithë ata të cilëve u shërbejmë.” Vetëm koha do të tregojë nëse kjo është apo jo e vërtetë.
USCIS-i ka deklaruar se ka marrë në konsideratë komentet dhe reagimet që i kanë ardhur gjatë procesit të hartimit të rregullores së hedhur si propozim. Marrja në konsideratë e reagimit të publikut ka gjetur pasqyrim në disa përditësime të rëndësishme që i janë bërë rregullores fillestare, të përfshira tashmë në rregulloren definitive.
Sipas USCIS-it rregullorja e re për tarifat:
Ul me 727 milionë dollarë mbulimin e detyruar vjetor të kostos së shpenzimeve, pjesërisht duke marrë parasysh efektet në buxhet që sjell përmirësimi i masave për rritjen e efikasitetit; zgjeron përjashtimet nga detyrimi për të paguar tarifat për emigrantët e mitur me status të posaçëm dhe viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, krimit dhe dhunës në familje; personat që kryejnë shërbimin në forcat ushtarake të SHBA-së dhe aleatët tanë afganë; dhe familjet që kërkojnë të bëjnë birësime jashtë vendit; Ofron ulje të posaçme tarifash për organizatat jofitimprurëse dhe punëdhënësit e bizneseve të vogla; Lejon aplikime me tarifë të përgjysmuar për marrjen e lejes për të punuar (Employment Authorization Document) për ata që kanë bërë aplikim për green card dhe në situata të caktuara, një tarifë të reduktuar për aplikantët për green card që janë nën moshën 14 vjeç; Zgjeron të drejtën për një ulje prej 50% të tarifave të aplikimeve për natyralizim, për ata individë që mund të tregojnë që kanë të ardhura familjare që variojnë nga 150% në 400% të nivelit federal të varfërisë sipas Federal Poverty Guidelines; dhe fut në zbatim një zbritje standarde prej 50 dollarësh për të gjithë ata që aplikojnë nëpërmjet internetit.
Sipas rregullores definitive, tarifat e reja nuk do të rriten me më shumë se 26%, përqindje kjo që i korrespondon ekuivalentes së rritjes së Indeksit të Çmimeve të Konsumit që nga viti 2016, viti kur pati dalë rregullorja e fundit për ndryshimin e tarifave të emigracionit. USCIS-i thotë se me të ardhurat e reja që do të krijohen falë rregullores së re, do të vazhdojë të përdorë zgjidhje inovative që kanë për synim të përmirësojnë përvojën e klientit dhe t’i vënë fre rritjes së numrit të çështjeve të prapambetura. Megjithëse rritja e tarifave do t’i lejojë USCIS-it të kompensojë më mirë kostot e përgjithshme, financimi nga Kongresi amerikan do të vazhdojë të mbetet i nevojshëm për të përballuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë volumin e shtuar të ngarkesës së punës që lidhet me numrin e çështjeve të paraqitura nga personat e porsaardhur nga kufiri, duke përfshirë dhe punësimin e personelit shtesë nga ana e USCIS-it, për t’i ardhur në ndihmë një sistemi që nuk është krijuar për të administruar një numër kaq të madh çështjesh si ai aktual me të cilin po përballet USCIS-i.
Tarifat e reja që parashikon rregullorja definitive do të hyjnë në fuqi më 1 prill, 2024. USCIS-i do të pranojë versionet e mëparshme të shumicës së formularëve gjatë një “periudhe lëshimi” nga 1 prilli, 2024 deri më 3 qershor, 2024. Gjatë kësaj periudhe, USCIS do t’i pranojë si versionet e mëparshme të disa formularëve të caktuar (jo të gjithëve) ashtu dhe versionet e reja të tyre, të paraqitura me tarifën e duhur përkatëse. Nuk do të ketë “periudhë lëshimi” për disa formularë të rinj. USCIS do të përdorë datën e vulës postare të paraqitjes së aplikimit për të përcaktuar se cili version i formularit dhe cilat tarifa janë të sakta, por do të përdorë datën e marrjes së aplikimit për qëllime që lidhen me afatet e dorëzimit siç parashikohen nga rregulloret dhe statutet përkatëse.
Disa nga formularët më të zakonshëm, tarifat e reja përkatëse dhe përqindja e ndryshimit të tarifës:
I-129F Petition for Alien Fiancé(e) $675 rritje 26%
I-130 Petition for Alien Relative (aplikim online) $625 rritje 17%
I-130 Petition for Alien Relative (aplikim normal) $675 rritje 26%
I-131 Application for Travel Document $630 rritje 10%
I-140 Immigrant Petition for Alien Workers $715 rritje 2%
I-212 Application for Permission to Reapply
for Admission into the U.S. After Deportation
or Removal $1,175 rritje 26%
I-290B Notice of Appeal or Motion $800 rritje 19%
I-485 Application for to Adjust Status
(përfshirë shërbimin biometrik) $1,440 rritje 18%
I-601 Application for Waiver of Inadmissibility $1,050 rritje 13%
I-601A Provisional Unlawful Presence waiver $795 rritje 26%
I-751 Petition to Remove Conditions on Residence
(përfshirë shërbimin biometrik) $750 rritje 10%
I-765 Application for Employment Authorization
(aplikim online) $470 rritje 15%
N-400 Application for Naturalization
(aplikim online) (përfshirë shërbimin biometrik) $710 ulje 2%
N-400 Application for Naturalization
(aplikim normal) $760 rritje 19%
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]