Delegacioni qeveritar i Kosovës udhëtoi për në Bruksel

Prishtinë, 6 dhjetor 2021 – Një delegacion i Qeverisësë Kosovës, i udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, ka udhëtuar të hënë për në Bruksel, për të marrë pjesë në mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit (KSA) që do të mbahet të martën, më 7 dhjetor.

Në takimin e delegacionit të Kosovës me drejtues dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian do të diskutohet mbi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Bashkimit Evropianm, me theks në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e cila është pjesë e procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Takimi do të drejtohet nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

Në përbërjen e delegacionit të Kosovës janë: zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja e dytë e ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

(r.m.)