Prishtinë, 2 nëntor 2021 – Organizata Demokraci Plus (D+) e ka publikuar raportin “Lajmet e rreme gjatë pandemisë COVID-19 dhe ndikimi i tyre”.
Sipas D+, që nga shfaqja e rasteve të para me COVID-19 e deri më tani, në të gjitha vendet, përveç sfidës së ballafaqimit me këtë infeksion, mbetet shqetësim edhe ballafaqimi me lajmet e rreme rreth kësaj pandemie. Këto lajme e kanë prekur edhe Kosovën.
“Lajmet e rreme kanë filluar të përhapen që nga fillimi i pandemisë duke shpikur ‘mite’ rreth prejardhjes së pandemisë COVID-19, si të mbrohemi nga infektimi e deri te efektet anësore të vaksinës. Përveç komenteve në rrjetin social Facebook janë formuar grupe anti-vaksinë të cilët bëjnë thirrje për mos vaksinim. Një prej këtyre grupeve quhet ‘diskutime rreth vaksinës’, shumica e profileve në këtë grup janë të rreme dhe nuk dihet qartë kush qëndron prapa tyre. Përveç formimit të grupeve, në Kosovë tendencë për përhapje të dezinformatave kanë edhe mediat online, ku sipas një hulumtimi nga NDI, që nga marsi i vitit 2020 deri në shkurt të vitit 2021, 3,613 postime në mediat online kanë përmbajtje me informacione të çrregullta”, thuhet në raport.
Sipas D+, pasojat që sjellin lajmet e rreme mund të shkaktojnë ankth e stres dhe vënë në mëdyshje imunizimin, madje mund të çojnë në refuzimin e vaksinës anti-covid, kështu që minojnë përpjekjet për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
D+ jep edhe disa rekomandime për minimizimin e ndikimit të lajmeve të rreme lidhur me pandeminë dhe imunizimin. Sipas D+. një rol të rëndësishëm mund të luajë Këshilli i Mediave të Shkruara.
“Disa nga rekomandimet e Demokraci Plus (D+) për reduktimin e përhapjes së lajmeve të rreme janë: Ministria e Shëndetësisë duhet që në bashkëpunim me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, me mbështetjen e agjencive donatore, të dizajnojnë një fushatë komunikimi ku ndikimi i dezinformatave dhe lajmet e rreme në pandeminë COVID-19 të jenë në fokus të fushatës. Fushata duhet të jetë e targetuar, për shembull, të synojë të rinjtë, ose mediat, rajonin e caktuar, grupmoshën e caktuar dhe të japë mesazhet në përputhje me rrethanat. Ministria e Shëndetësisë, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Policia e Kosovës duhet të bashkëpunojnë ngushtë në identifikimin e lajmeve të rreme duke përfshirë burimet e lajmeve të rreme dhe të koordinojnë luftën kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës duhet të punojë vazhdimisht me mediat online për të parandaluar publikimin e dezinformatave dhe lajmeve të rreme nga artikujt e përkthyer nga mediat ndërkombëtare. Edukimi dhe trajnimi online për lajmet e rreme duhet të vihen në dispozicion të qytetarëve. Një shembull i mirë mund të jetë platforma e D+ për lajmet e rreme për të mësuar më shumë rreth dallimit midis lajmeve të vërteta dhe të rreme”, thuhet në raportin e organizatës Demokraci Plus.
(r.m.)