Nju Jork, 3 nëntor 2021 – Demokrati Eric Adams është zgjedhur kryebashkiak i qytetit të Nju Jorkut, duke fituar të martën ndaj republikanit Curtis Sliwa në një garë që u duk të ishte shumë më e lehtë se sfida e tij e radhës: rimëkëmbja e një qyteti të dëmtuar nga pandemia e koronavirusit.
Zoti Adams, i cili ka shërbyer në detyrën e kapitenit të policisë së qytetit të Nju Jorkut dhe kryetar i distriktit së Bruklinit, do të jetë kryebashkiaku i dytë afrikano-amerikan i qytetit më të populluar të vendit. David Dinkins, i cili shërbeu nga viti 1990 deri në 1993, ishte i pari.
“Sonte, Nju Jorku ka zgjedhur një nga ju, një nga tanët. Unë jam ju”, i tha zoti Adams një turme njerëzish të mbledhur për të festuar fitoren e tij në një hotel në lagjen e qytetit të tij të lindjes, Bruklin.
“Pas disa vitesh lutjesh, shprese, mundimi e pune, ne po marrim tashmë drejtimin e bashkisë”, shtoi ai më tej.
Fitorja e zotit Adams dukej e garantuar pasi ai doli fitues nga zgjedhjet paraprake të zhvilluara këtë verë, në një qytet ku raportet mes demokratëve e republikanëve janë përkatësisht 7 me 1.
Zoti Adams e mbështeti fushatën tek rrënjët e tij, si përfaqësues i klasës punëtore, rritur së bashku me pesë motrat e vëllezërit e tij, vetëm nga nëna, e cila pastronte shtëpi.
Gjatëdhjetë e një vjecari Adams, do të marrë detyrën më 1 janar, në një qytet ku COVID-19 ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 34,500 njerëzve e që përballet me sfida të mëdha ekonomike.
Industria e turizmit nuk e ka marrë ende veten. Shumë prej ndërtesave që shërbejnë si zyra për bizneset janë pjesërisht bosh, e një pjesë e njerëzve vazhdojnë ende të punojnë nga shtëpia. Institucionet arsimore nga ana tjetër po përpiqen t’i rikthejnë fëmijët në shkolla pas një viti mësimdhënieje në distancë.
Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut Kathy Kochul, e cila iu bashkua zotit Adams në festën e tij të fitores, premtoi “një epokë krejtësisht të re bashkëpunimi” mes shtetit dhe qytetit, pas tetë vitesh konflikti mes ish-guvernatorit Andrew Cuomo dhe kryebashkiakut Bill de Blasio, të dy përfaqësues të Partisë Demokrate.
“Ne do të luftojmë për ju dhe jo më me njëri-tjetrin”, shtoi ajo.
Kryetarët e Bashkisë së Nju Jorkut mund të kandidojnë për dy mandate, dhe ky ishte mandati i fundit për Bill de Blasion.
(Zëri i Amerikës)