Uashington, 7 korrik 2023 – Nipi i ish-Presidentit John F. Kennedy po kandidon për president të Shteteve të Bashkuara. Demokrati Robert F. Kennedy Jr, babai i të cilit u vra ndërsa kandidonte për Shtëpinë e Bardhë në vitin 1968, duket se nuk ka gjasa të marrë emërimin e Partisë Demokrate në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, pavarësisht famës që ka familja Kennedy dhe disa sondazheve aktuale që tregojnë se ai gëzon mbështetje.
Demokrati Robert F. Kennedy Jr. njoftoi se do ta sfidonte Presidentin Joe Biden për të marrë emërimin e Partisë Demokrate, duke thënë se ndikimi i madh i korporave në qeveri ka rezultate shkatërrimtare.
“Për të helmuar fëmijët dhe popullin tonë me kimikate dhe ilaçe, për të zhveshur vlerat tona, për të varfëruar klasën e mesme dhe për të na mbajtur në një gjendje lufte të vazhdueshme”.
Zoti Kennedy, djali i Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, i vrarë në vitin 1968, njihet si skeptik ndaj vaksinave duke përhapur teori të diskredituara shkencërisht.
Ai ka bërë thirrje për mbylljen e kufirit SHBA-Meksikë dhe ka sugjeruar se “disa ilaçe me recetë” janë përgjegjëse për një valë vrasjesh masive në Shtetet e Bashkuara.
Sipas sondazheve të qershorit nga “Real Clear Politics” mbështetja mesatare mes demokratëve për zotin Kennedy ishte rreth 14% krahasuar me 64% për zotin Biden.
Analistët thonë se megjithëse fushata e zotit Kennedy aktualisht gëzon mbështetje, është e paqartë se cilat politika do të tërheqin votuesit e tij.
Zëri i Amerikës bisedoi me profesorin e shkencave politike të Universitetit të Kalifornisë në Berkley, zotin Henry Brady.
“Ne duam të kemi vaksina të sigurta. Ta ndihmojmë Ukrainën, gjë që ai e kundërshton. Të mendojmë thellë për armët dhe shkakun e dhunës me armë. Por nuk e kemi të qartë se ku do të na çojnë politikat që ai ofron”.
Një aktivist i njohur për mjedisin, zoti Kennedy mund të marrë mbështetjen e demokratëve të kësaj linje ose të atyre që janë të zhgënjyer nga politikat e zotit Biden.
Por hulumtuesi Hans Noel thotë se zoti Kennedy nuk do të jetë në gjendje ta mund zotin Biden për emërimin e partisë së tij.
“Nuk ka gjasa ta ndryshojë rezultatin. Por padyshim kjo betejë politike mes demokratëve do të shkaktonte debate. Dhe do të krijonte zhgënjim tek zoti Biden”.
Fushata e zotit Biden duhet të tregohet e vëmendshme ndaj mbështetjes që gëzon demokrati Kennedy, thotë për Zërin e Amerikës analisti J. Miles Coleman.
“Shumë njerëz thonë se zoti Biden do të jetë mbi 80 vjeç në zgjedhjet e vitit 2024. Ata ngrenë pikëpyetjen se cilat janë alternativat e tjera”.
Zyrtarët e fushatave të demokratëve Biden dhe Kennedy, refuzuan kërkesat e Zërit të Amerikës për të komentuar.
(Zëri i Amerikës)