Denion Ndrenika, gazetar i “Illyria”-s theksoi se rezultat domethënës në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte një vendim i lartë politik dhe jo vetëm shprehje vullneti si në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë me presidentin Donald Tramp
Gazetari Denion Ndrenika thotë se bisedimet, negociatat apo dialogu i Kosovës me Serbinë, janë përherë pa rezultat sepse Serbia nxjerr çdo herë një problem të ri dhe nxit pa rreshtur tensione dhe konflikte.
Ai shprehu mosbesim tek Europa duke kujtuar se nuk po ndryshon dot qëndrimin historik jo krah së drejtës së shqiptarëve, të cilët i ndau në 5 a 6 copa me popullatë dhe territore.
Në studion e televizionit “Ora” në Tiranë me gazetarin Sebastian Zonja në intervistën e mbrëmjes, Ndrenika tha se negociatat, dialogu nuk i kanë lënë ndonjë shije për rezultat pasi është zvarritur ndër vite duke e dëshmuar këtë.
Ndrenika, gazetar i “Illyria”-s theksoi se rezultat domethënës në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte një vendim i lartë politik dhe jo vetëm shprehje vullneti si në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë me presidentin Donald Tramp.
Ndërkaq, ai tha se beson se Shqipëria ka kapacitetet diplomatike për të ecur drejt një mundësi për marrëveshje “të përjetshme” me Serbinë, ndonëse rikujton se shkak i historisë, pak besim ka që serbët do ta respektojnë pa e cenuar dhe trazuar.
Për Serbinë, Ndrenika tha se ndonëse ndez konflikte, tensione dhe krijon kurdoherë gjendje lufte me të gjithë fqinjët, madje edhe në sporte, vështirë të marrë përsipër të dhunojë Marrëveshjen e Dejtonit që të shpërbëjë Bosnje dhe Hercegovinën duke shtyrë Republikën e Serbëve.
Mirëpo, ai tha se shqiptarët më mirë ndihen si të pafuqishëm dhe humanistë se sa t’i kujtojnë çdo herë masakrat, krimet dhe genocidin dhe 8 mijë e ca burra të Srbrenicës.
Sa i përket zgjedhjeve vendore të raundit të dytë që zhvillohen këtë të dielë, Ndrenika tha se “Vetëvendosja!” nuk mund ta marrë Prishtinën apo qendra të tjera, nëse njerëzit kanë aleanca të heshtura për t’i dhënë një mësim të dytë për atë që e çmojnë si sjellje arrogante në qeverisjen qendrore.
Sipas Ndrenikës, beteja kryesore mes partive në Kosovë është për Prishtinën sepse pa dyshim që bëhet për kryeqendrat, veçanërisht në vende që kanë të përqendruar të gjithë kapacitetet e tyre ekonomike, sociale, shoqërore, politike, kulturore apo sportive.
“Në vende si Shqipëria, Kosova, Serbia, pra në vendet ballkanike të vogla edhe vetë Greqia e kanë të përqendruar të gjithë aktivitetin e tyre në kryeqytet dhe aty bëhet beteja kryesore”-tha ai.
Ndrenika arsyetoi se përse mendon që “Vetëvendosja” do të mund ta marrë fitoren, jo se mund të ketë dhënë diçka më tepër, apo se mund të përballojë një bashkim të mundshëm të kundërshtarëve të saj, “PDK” dhe “LDK”:
“Sepse diferenca në kuptimin tim është pak e madhe dhe besoj që nuk do të mbërrijë PDK dhe LDK. Përveç se vetë njerëzit kanë aleanca të heshtura mes tyre dhe për t’i dhënë një mësim të dytë “Vetëvendosjes” pas raundit të parë, të merren vesh dhe ta votojnë kundër”.