Prishtinë, 7 dhjetor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për vjedhjen e 2.1 eurove nga Thesari i Shtetit. Ata janë dënuar me 21 vjet burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë.
Labinot Gruda është dënuar me 11 vjet burgim efektiv dhe me 8 mijë e 500 euro gjobë. Atij i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike për 6 vjet.
Ndërkaq, Kadri Shala është dënuar me 10 vjet burgim efektiv dhe me 33 mijë euro gjobë .
Aktgjykimi ndaj të akuzuarve wshtw shpallur të mërkurën nga gjykatësja Valbona Selimi-Musliu
Gruda ështëshpallur fajtor për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Vjedhje e identitetit dhe pajisje e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë”.
Ndërkaq, Shala është shpallur fajtor për veprat penale “Shpëlarje e parasë” dhe për “ndihmë” në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Labinot Gruda, akuzohej se më 9 tetor 2020, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e vendit të punës ka ndërhyrë në ndarjen buxhetore, dhe ka transferuar shumën prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, në llogarinë bankare në emër të “LDA GROUP”, SH.P.K”.
”Gruda është kyçur në SIMFK dhe ia ka shtuar userit të tij mundësinë e shtimit të klasës funksionale në sistem, me ç’rast ka regjistruar furnitorin “LDA GROUP” SH.P.K, më pastaj ka krijuar përdoruesit fiktiv përmes të cilëve ka ndërmarrë veprimet për qasje për urdhër-blerje, për pranim të mallit dhe krijim të kuponave të shpenzimit, si dhe ka ndërruar fjalëkalimin e përdoruesit ekzistues “FAZLIUF” (Fadil Fazliu), i cili kishte qasje në sistem si zyrtar certifikues i Ministrisë së Infrastrukturës, përmes të cilit ka certifikuar kuponët e shpenzimit për operatorin “LDA GROUP” SH.P.K., me ç’rast Thesari i Kosovës sipas procedurave standarde të SIMFK-së, ka ekzekutuar pagesat në llogari të këtij operatori’, thuhej në aktakuzën kundër Grudës.
Kurse, Kadri Shala akuzohej se më 9 tetor 2020, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit Gruda, i ka ndihmuar të njëjtit duke i dhënë në dispozicion të dhënat e plota për subjektin juridik “LDA GROUP” SH.P.K, dhe llogarinë bankare të të njëjtës, ku person i autorizuar i të cilës me kompetenca të plota është i akuzuari Shala, me ç’rast i ka mundësuar të akuzuarit Gruda që paratë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centëm t’i transferojë në mënyrë të kundërligjshme në llogarinë bankare të këtij subjekti.
“Të akuzuarit Gruda dhe Shala, nga 9 deri më 15 tetor 2020, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, lëvizjes ose pronësisë së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshmem fillimisht Gruda i ka transferuar këto para në llogarinë bankare të ‘LDA GROUP’, e më pastaj Shala në emër të blerjes, huazimit, avansit, donacionit dhe kryerjes së obligimeve, i ka transferuar në llogari të ndryshme bankare të personave fizik dhe juridik dhe atë brenda Kosovës shumën prej 1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë dhe jashtë saj shumën prej 440 mijë euro, si dhe ka tërhequr nga banka shumën prej 221 mijë e 582 euro e 26 centë, gjoja për pagesa dhe nevoja të kompanisë”, thuhej në aktakuzë.
(r.m.)