Dënohen me 22 vjet e 6 muaj burgim katër persona të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Prishtinë, 28 qershor 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli të premten aktgjykimin për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Katër nga të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim, ndërsa një tjetër i akuzuar u lirua nga aktakuza.

Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u dënuan në total me 22 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Sillvana Arsoviq u lirua nga akuzat.

Katër të akuzuarit u dënuan për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal që organizoi vrasjen e Ivanociqit dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa autori apo organizatori i vrasjes nuk dihet ende.

Nedelko Spasojeviq, ish-polic, u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg për veprën penale “pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje” dhe me gjobë prej 4.500 euro “për armëmbajtje pa leje”.

Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut, u dënua me dhjetë vjet burg për veprën penale “pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje” dhe me gjobë në vlerë 10.000 euro.

Dragisha Markoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burgim për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Zharko Jovanoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për armëmbajtje pa leje, si dhe me gjobë prej 1.500 euro.

Sillvana Arsoviq, sekretare e Ivanoviqit, u shpall e pafajshëm për akuzën se ishte pjesë e një grupi kriminal.

Të dënuarve do t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

 Ata nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit kur iu shqiptua dënimi.

Javën e kaluar, Rade Basara, i cili po ashtu ka qenë polic në kohën kur është vrarë Ivanoviq, është liruar nga akuzat se ka qenë pjesë e grupit kriminal që e ka ndihmuar dhe organizuar vrasjen. Prokuroria Speciale ka thënë se ndjekja penale e Basarës është ndërprerë, për shkak të mungesës së provave.

Seancat në rastin e vrasjes së Ivanoviqit shpesh janë shtyrë, për shkak se dëshmitarët nuk janë paraqitur, ndërsa disa dëshmitarë – nën mbrojtjen e anonimitetit – kanë refuzuar të japin deklarata, duke thënë se nuk ndihen të sigurt.

Në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, Prokuroria përfshin edhe Zhelko Bojiqin, ish-shef i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin verior, Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, dhe Zvonko Vesellinoviqin, biznesmen nga veriu i Kosovës. Por, kundër tyre nuk është ngritur ndonjë akuzë në Kosovë, për shkak se janë në arrati.

Në aktakuzë, Radoiçiq dhe Vesellinoviq përmenden si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili ka planifikuar vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Radoiçiq, pak muaj para vrasjes së Ivanoviqit, ishte zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Serbisë.

Ai ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2023, kur e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Zyrtarë të lartë të Serbisë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, kanë thënë disa herë publikisht se e dinë kush e ka vratë Ivanoviqin, duke dalë në mbrojtje të Radoiçiqit. Në qershor të vitit 2023, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme i Serbisë, Bratisllav Gashiq, aktualisht ministër i Mbrojtjes, ka thënë se autoritetet serbe “e dinë saktësisht” se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin. Ai ka thënë se vrasësi gjendet në Gjermani dhe është “nën mbrojtjen” e autoriteteve gjermane”. Gjermania I ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet e Gashiqit, i cili ka qenë edhe udhëheqës i Agjencisë sekrete serbe, BIA.

Milan Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, para selisë së partisë së tij, “Liri, Demokraci, Drejtësi”, në Mitrovicë të Veriut.

(r.m.)