Dënohen sërish me burgim i përjetshëm autorët e vrasjes së Enver Hadrit

Bruksel, 29 janar 2025 – Gjykata Penale në Bruksel i ka dënuar sërish me burgim të përjetshëm Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin, të cilët janë shpallur fajtorë për vrasjen e Enver Hadrit, aktivistit për të drejtat e njeriut në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur familja Hadri, e cila për shumë vite ka kërkuar drejtësi para gjykatave të Belgjikës për vrasjen e Enverit.

Fajësia e Vukotiqit dhe Drashkoviqit është konfirmuar nga juria e gjykatës të martën, ndërsa vendimi i dënimit është shpallur të mërkurën.

Juria i ka marrë këto vendime pasi i ka dëgjuar dëshmitarët dhe i ka shqyrtuar provat e paraqitura nga prokuroria edhe nga avokatët e mbrojtjes.

Gjykimi në Gjykatën Penale në Bruksel është zhvilluar në mungesë, sepse të dënuarit ndodhen në Serbi dhe nuk janë ekstraduar në Belgjikë.

This image has an empty alt attribute; its file name is Enver-Hadri-1.jpg

Enver Hadri është vrarë më 15 shkurt të vitit 1990 në Bruksel nga të shtënat nga një veturë. Gjykata ka konstatuar se Hadri është vrarë me urdhër të Shërbimit Sekret të ish-Jugosllavisë.

Hetimet e kryera nga autoritetet belge kanë çuar në përfundimin se vrasja, e cila është kryer për motive politike, është organizuar nga shërbimet jugosllave, me mbështetjen logjistike të nëntokës së Beogradit.

Veselin Vukotiqi dhe Andrija Drashkoviqi, së bashku me Bozhidar Spasiqin, ishin dënuar me burgim të përjetshëm edhe në vitin 2016,  por gjykimi është përsëritur pas ankesë së të dyja palëve. Ndërkq. Bozhidar Spasiq, ish-zyrtar i lartë i Shërbimit Sekret jugosllav nga Beogradi, nuk është ankuar ndaj vendimit të gjykatës,prandaj mbetet në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm, i marrë në gjykimin e vitit 2016.

Enver Hadri ka qenë kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Në kohën kur është vrarë ka qenë duke mbledhur dokumente për të dëshmuar terrorin e regjimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Vrasja e Enver Hadrit konsiderohet si njëra nga pesë rastet më të njohura të vrasjeve politike të kryera nga Shërbimi Sekret Jugosllav.

(r.m.)

Comment

*