Dënohet ashpër pengimi i boksierëve të Kosovës që tëmarrin pjesë në kampionatin Botëror në Beograd

Lozanë /Prishtinë, 25 tetor 2021 – Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit, AIBA, dhe autoritetet e Kosovës kanë reaguar ndaj vendimit të autoruteteve të Serbisë që të mos lejojë ekipin përfaqësues të Kosovës që të merrte pjesë në Kampionatin Botërot të Boksit në Beograd.

Autoritetet e Serbisë e ndaluan në kufi dhe nuk e lejuan ekipin përfaqësues të boksit të Kosovës që të hyjë në Serbi.

AIBA i bëri thirrje Beogradit të mos e politizojë sportin.

“Ne besojmë që të gjithë atletët duhet të kenë shanse të njëjta për të garuar dhe për të treguar aftësitë e tyre më të mira në ring. Sporti ka për qëllim të bashkojë njerëzit dhe duhet të jetë i lirë nga politikat kombëtare”, tha AIBA.

Por, thirrja e AIBA-s hasi në vesh të shurdhër. Zyrtarët e Komitetit Olimpik të Kosovës thanë se ekipi i përfaqësueses së Kosovës tentoi tri herë të hyjë në Serbi, por u ndalua në kufi pa ndonjë shpjegim zyrtar.

“Pas dy orë pritjeje në kufi dhe kontrollit të detajuar të makinës dhe të veshjeve, policia serbe mori urdhërn nga Qeveria e Serbisë që të mos lejojë hyrjen në Serbi”, thuhet në njoftim00.

Komiteti Olimpik i Kosovës e dënoi ashpër këtë veprim të Qeverisë së Serbisë dhe paralajmëroi se nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të kërkojë të merren  masa ndaj Serbisë.

Federata e Boksit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit, AIBA, që nga viti 2014.

Zyrtarë të AIBA-s thanë se Federata e Boksit të Kosovës nuk duhet të trajtohet ndryshe nga përfaqësueset tjera.  Megjithkëtë, AIBA i ofroi ekipit të Kosovës të marrë pjesë në kampionat me flamurin e AIBA-s, por ekipi kosovar e refuzoi këtë ofertë.  

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diaspirës e Kosovës tha se Serbia, si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, ”e ka shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit”.

Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit në Qeverinë e Kosovës ka kërkuar nga AIBA dhe organizatat tjera ndërkombëtare të sportit që të ndërmarrin masa ndaj Serbisë për shkak të pengimit të përfaqësueses së Kosovës që trë marrë pjesë në Kamnpionatin Botëror të Boksit.

(r.m.)