Prishtinë, 5 dhjetor 2024 – Organizatat për mbrojtjen e gazetarëve në Kosovë e kanë dënuar sulmin verbal të kryeshefit ekzekutiv të kompanisë publike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, ndaj gazetares Mimoza Koprani Muçaj.
Grupi Koha, Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e cilësuan sulmin verbal të Mujkës ndaj gazetares Koprani Muçaj si sulm “të rrezikshëm” për gazetaren, për medien dhe për lirinë e shprehjes.
“Reagimi i Mujkës nuk është rast, por pasojë dhe fenomen. Është fatkeqësi, përveçse shkelje, që në poste publike aterrojnë të tillë zyrtarë partiakë e të dyshuar për korrupsion”, thuhet në reagimin e Gruopit KOHA.
Ky grup paralajmëron se Mujka do të përballet sërish me drejtësinë.
“Mujka do të përballet sërish me drejtësinë. Kësaj radhe si keqpërdorues i fjalës së lirë”, thuhet në reagim.
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës vërejti se sulmi i Mujkës ndaj gazetares së KTV-së ka edhe ngjyrime seksiste.
“Këto lloj kërcënimesh, sidomos ndaj grave gazetare, janë gjithmonë të ngarkuara me ngjyrime seksiste dhe kanë për qëllim t’i frikësojnë dhe t’i dekurajojnë koleget tona nga ushtrimi i profesionit të tyre”, tha ky rrjet.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se e dënon sulmin verbal të ish-zyrtarit të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj gazetares Mimoza Koprani Muçajt.
“AGK-ja konsideron se kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme ndaj gazetares dhe mediumit ku punon ajo”, thuhet në reagim.
Sulmin verbal ndaj gazetares Mimoza Koprani – Muçaje kanë dënuar ashpër edhe gazetarët e medieve tjera të pavarura të Kosovës.
Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë publike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, në një shkrim në Facebook, e ka cilësuar punën e gazetares Koprani – Muçaj si “skajshmërisht të poshtër”, ndërsa KTV-në e ka akuzuar se po e bën punën e medieve ruse “Sputnik” dhe “Rusia Today”.
Ai i ka bërë këto komente më 4 dhjetor, për shkak se gazetarja Koprani Muçaj e ka pyetur ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për dëmet që i ka pësuar kanali i ujit i “Ibër-Lepencit” në Varagë të Zubin Potokut nga shpërthim me lëndë plasëse, më 29 nëntor.
“Moderatorja me ngulm e ngushtonte Ministren duke thënë se unë e kam vlerësuar dëmin 1 mln pa asnjë ekspertizë. Kjo është skajshmërisht e poshtër dhe keqpërdorim ekstrem i mediumit publik me qëllim të përhapjes së gënjeshtrave dhe denigrimin e personave që ju pengojnë qëllimeve të tyre, pra qëllimeve të grupit të Stanishiqit. I pëlqeu ose jo me intervenimin tonë rekord ia kemi shpëtuar shtetit tonë 2.2-2.5 mln € në ditë për import të rrymës. Kur ke këso media nuk të duhet fare Sputnik dhe Rusia Today. Ka kush kryen punën e tyre”, ka sjhkruar ndër të tjera Mujka.
(r.m.)