Uashington, 27 maj 20224 – Sulmi ajror brutal i Izraelit në një kamp refugjatësh palestinezë në Rafah, i cili shkaktoi së paku 45 viktima të pafajshme, hasi në reagime të ashpra të udhëheqësve botërorë, raportuan Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë.
Shtetet e Bashkuara reaguan të hënën, duke kërkuar nga Izraeli që të marrë masa për mbrojtjen e civilëve,
“Izraeli gëzon të drejtën t’i kundërvihet Hamasit dhe ne e kuptojmë që ky sulm ka vrarë dy terroristë të lartë të Hamasit që janë përgjegjës për sulmet kundër civilëve izraelitë. Por, siç kemi theksuar, Izraeli duhet të marrë të gjitha masat që të mbrojë civilët”, ka thënë një zëdhënës i Këshillit për Sigurinë Kombëtare.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me ushtrinë izraelite dhe me partnerët tanë në terren për të vlerësuar se çfarë ka ndodhur”, ka deklaruar ai.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se ishte “tejet i zemëruar” me sulmet e fundit të Izraelit. Ai ka bërë thirrje për ndërprerjen e operacioneve ushtarake në Rafah, sepse atje nuk ka zona të sigurta për civilët.
“Këto operacione duhet të ndalen patjetër. Nuk ka zona të sigura për civilët palestinezë në Rafah. Bëj thirrje që ligji ndërkombëtar të respektohet plotësisht dhe ketë armëpushim të menjëhershëm”, ka shkruar Macron në platformën X.
Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, ka thënë se bombardimet si ky në Rafah do të kenë pasoja afatgjate për Izraelin.
“Izraeli, me këtë zgjedhje, po përhap urrejtje, urrejtje të rrënjosur që do t’i përfshijë fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre. Unë do të parapëlqeja tjetër vendim”, ka th٥në Crosetto për telefizionin SKY.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka bërë thirrje për respektimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve luftarake dhe mbrojtjen e popullsisë civile.
Sulmin në Rafah e dënuan edhe Egjipti dhe Jordania, të cilat kanë bërë marrëveshje paqeje me Izraelin dekada më parë. Ministria e Jashtme e Egjiptit e cilësoi sulmin si “shkelje të re flagrante të ligjit ndërkombëtar”, ndërsa Ministria e Jashtme e Jordanisë e quajti sulmin “krim lufte”.
Katari, një ndërmjetës i rëndësishëm mes Izraelit dhe Hamasit në bisedimet për të arritur marrëveshje për armëpushim dhe për lirim të pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi, tha se sulmi i së dielës do t’i bëjë edhe më komplekse bisedimet. Bisedimet e deritashme kanë dështuar për shkak të kërkesës së Hamasit për armëpushim afatgjatë dhe për tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza, kërkesa këto që janë hedhur poshtë nga Izraeli.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pranoi se sulmi në kampin ku strehoheshin palestinezët e zhvendosur ishte siç tha, “gabim tragjik”. Ai tha se autoritetet kanë nosir hetimet lidhur me këtë, siç e quajti, “incident”.
“Me gjithë përpjekjet tona për të mos dëmtuar civilë të pafajshëm, mbrëmë ndodhi një gabim tragjik. Po e hetojmë incidentin dhe do të dalim me një përfundim”, tha Netanjahu.
(r.m.)