Dënohet me 10 muaj burgim personi që kanosi me vrasje ambasadorin amerikan në Kosovë

Prishtinë, 20 shtator 2021 – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 10 muaj burgim të pandehurin I.G., përmes një mesazhi dëerguar Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë i kishte kanosur me vrasje ambasadorin dhe zyrtarët tjerë të kësaj  ambasade, raporton Betimi në Drejtësi.

Mesazhi ishte dërguar përmes postës elektronike në qershor të këtij viti.

Aktgjykimi ndaj të pandehurit është shpallur të hënën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Vesel Ismajli, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë.

“Pendohem jashtëzakonisht thellë për veprën penale që e kam kryer. Kërkoj falje publikisht, në emër timin dhe të familjes”, i ka thënë gjykatës i akuzuari.

Prokurori Afrim Shefkiu ka deklaruar se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është i plotë dhe në përputhje me provat materiale të bashkangjitura aktakuzës.

Me aktakuzën e ngritur më 3 shtator 2021, I.G. ngarkohej me veprën penale “rrezikimi i personave me mbrojtje ndërkombëtare”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari i kishte kanosur seriozisht ambasadorin dhe përfaqësuesit e kësaj ambasade.

Por, i akuzuari kishte thënë se nuk kishte pasur qëllim të vriste ambasadorin, por të sensibilizonte Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për “padrejtësitë ndaj familjarëve të tij” në një proces gjyqësor.

(r.m.)