Gjithashtu ka edhe dënim tjetër, që zotit Llalla i hiqet për 5 vjet e drejta e ushtrimit të funksioneve publike si dhe dhe konfiskim pasurie
Knid Ndrenika
Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për të dënuar me dy vjet burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla.
Gjithashtu ka edhe dënim tjetër, që zotit Llalla i hiqet për 5 vjet e drejta e ushtrimit të funksioneve publike si dhe dhe konfiskim pasurie.
Akuzat kundër ish-Kryeprokurorit ishin “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi (2) i Kodit Penal, por mbeti vetëm ajo për mosdeklarim.
Ish-Kryeprokurori nuk ishte i pranishëm pasi kurohet nga një sëmundje e rëndë i shtruar në spital, ndonëse nuk ka të dhëna për vendndodhjen e tij.
Avokatura e zotit Llalla tha se vendimi ishte “copy paste të gjitha pretendimeve të hetimit pa konsideruar asgjë nga mbrojtja”.
Avokati Sokol Hazizaj theksoi se vendimi i Apelit ishte i paracaktuar dhe nuk është vërtetuar asnjë akuzë që është ngritur nga prokuroria.
“Jemi me gjykim të padrejtë. Di që Llalla është në spital, kaq di. Unë jam avokati i tij dhe jam këtu, para jush. Gjykata, edhe e Shkallës së Parë, edhe e Apelit, ka bërë copy paste të gjitha veprimet procedurale, asgjë tjetër. Do t’i ndjekim të gjitha hallkat, deri në Gjykatën e Lartë. Nuk e di ku ndodhet Llalla, nuk kam komunikim sa i përket anës shëndetësore të ish-kryeprokurorit, kam komunikim vetëm për anën procedurale”, tha avokati Hazizaj, raportoi “News 24”.
Prokuroria e Posaçme SPAK kërkoi që Apeli ta linte në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë kundër ish-Kryeprokurorit, Adriatik Llalla.
Pritet që prokuroria të ekzekutojë vendimin e Apelit. Ky është rasti i parë që një Prokuror i Përgjithshëm në Shqipëri dënohet me 2 vite burg për një akuzë të tillë.
Zotit Llalla iu sekuestruan në favor të shtetit 4 sipërfaqe toke me gjithsej 22 mijë metra katrorë dhe 1 apartament në Durrës.