Tiranë, 14 shkurt 2022 – Gjykata e shkallës së parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar dënoi sot me tre vite burgim në akuzën e “korrupsionit” ish gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha. Falë gjykimit të shkurtuar ajo të do vuajë vetëm dy vite burgim.
Ish gjyqtarja kërkoi pafajësinë duke pretenduar se proceci ndaj saj kishte patur qëllime politike pasi sipas saj, ishte vënë në shenjestër kur kryeministri Edi Rama kishte përmenduar publikisht emrin e saj.
Ajo u arrestua në shkurt të vitit të kaluar pas një hetimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nën dyshimet se kishte përfituar para për të ulur dënimet e disa të burgosurve. Bashkë me të u arrestuan në atë kohë dhe 9 persona të tjerë, mes të cilëve një avokat që mbante lidhje me gjyqtaren, të afërm të një të dënuari dhe disa ndërmjetës
Sipas SPAK-ut, gjithshka funksiononte përmes një skemë të mirëfilltë, ku në këmbim të parave nga 6 mijë deri 12 mijë euro, u ofrohej mundësia e uljeve të dënimit, të dënuarve në burgun e Fushë-Krujës, falë lidhjeve që personat e tjerë të përfshirë kishin me gjyqtaren Hoxha.
Avokati i arrestuar, Aldo Tabaku, i cili konsiderohej si pika kryesore e lidhjes me gjykatësen, u dënua me 4 vite burg. Ndërsa ish sekretarja e Gjykatës së Krujës, emanuela Mallkuçi u dënua me 3 vite burg. Dënime po me burg u dhanë dhe për personat e tjerë të arrestuar. Por të gjithë do të përfitojnë ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Përpara se të arrestohej, ndaj ish gjyqtares Hoxha kishte nisur dhe një proces për shkarkimin e saj si magjistrate, me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, edhe në këtë rast për vendimet e saj për të liruar nga burgu persona me emër të botës së krimit.
ILD i ishte referuar, lirimit para kohe të Hekuran Billës, i dënuar me burgim të përjetshmë për vrasje në Angli. Vendimi u njoh dhe nga një gjykatë e shkallës së parë në Shqipëri, por më pas Apeli i Tiranës, i njohur një dënim për vetëm 25 vjet burg. Ndërsa në shkurt të vitit të shkuar, ndërsa i kishin mbetur 10 vite burg për t’u shlyer, gjyqtarja Hoxha, i fali 5 vite burgim, ndërsa 5 vitë të tjera iu konvertuan në shërbim prove. I transformuar në një biznesmen, Billa mbeti i vrarë në një atentat në qershor të këtij viti.
Të njejtën praktikë, gjyqtarja Hoxha, e cila kishte firmosur disa vendime që i kanë dhënë lirinë të dënuarve të rrezikshëm, kishte ndjekur dhe në rastin e Ilir Pajës, i dënuar më parë në Itali, por që gjatë vuajtjes së dënimit në Shqipëri, mori disa falje, derisa më pas u lirua po me kusht.
Sipas raportit që ILD ka dorëzuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, në harkun kohor nga maj 2017- shkurt 2019, gjykatësja Hoxha ka dhënë 6 vendime të cilat “përbëjnë akte që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Ka zhvilluar procese gjyqësore tërësisht të njënashme dhe në kundërshtim flagrant me dispozitat materiale dhe procedurale penal. Ka kryer veprime dhe sjellje që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin. Këshilli i Lartë Gjyqësor, vendosi shkarkimin e saj më 17 mars të vitit të kaluar “për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës”.
(Zëri i Amerikës)