Kiev, 23 maj 2022 – Një gjykatë në Kiev e ka dënuar me burgim të përjetshëm ushtarin rus, Vadim Shishimarin, 21-vjeçar, për vrasjen e një civili të paarmatosur në Ukrainë.
Ky njëherësh është gjykimi i parë për krime lufte, prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt.
Në një seancë të ndjekur me shumë interes, gjyqtarët në distriktin Solomyanka në Kiev, kanë dënuar rreshterin rus, i cili më parë ka pranuar fajësinë për vrasjen e 62-vjeçarit ukrainas, Oleksandr Shelypov.
Ai është qëlluar me armë zjarri teksa ka qenë duke shëtitur me biçikletën e tij në veriperëndim të rajonit Sumi.
Ukraina ka akuzuar Rusinë për mizori kundër civilëve përgjatë tre muajve të pushtimit dhe ka thënë se ka identifikuar më shumë se 10,000 krime të mundshme lufte.
Mediat e pavarura dhe grupet për të drejta të njeriut po ashtu kanë mbledhur të dhëna se Moska ka shënjestruar civilët në luftime.
Rusia ka mohuar përfshirjen në krime lufte.
Gjyqtari Serhiy Agafonov ka thënë se Shishimarin ka zbatuar “urdhër kriminal”, i cili i është dhënë nga një ushtar i nivelit më të lartë.
Ai besohet ta ketë kryer vrasjen me armë automatike.
Shishimarin ka thënë para gjykatës javën e kaluar, se nuk ka dashur ta vrasë Shelypovin dhe se i vjen shumë keq që ka ndodhur diçka e tillë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë.
(REL)