Dënohet për “shpërdorim detyre” Luiza Mandi, ish kryetarja e bashkisë së Libohovës

Tiranë, 13 qershor 2024 – Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të enjten më 13 qershor deklarimin fajtor të ish kryetares së Bashkisë së Libohovës, Luiza Mandi, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe dënimin e saj me një vit burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar ajo përfitoi uljen e një të tretës së dënimit, duke marrë një dënim përfundimtar me 8 muaj heqje lirie. Gjykata përcaktoi se vuajtja e dënimit fillon pasi vendimi të marrë formë të prerë dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Vendimi është marrë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.

Ish-kryetarja e Bashkisë së Libohovës, Luiza Mandi u procedua bazuar në një kallëzim të depozituar nga një qyetar, që pretendoi se pronat e tij ishin dëmtuar gjatë zbatimit të një projekti të njësisë vendore për zgjerimin e një rruge. Megjithëse qytetarit i ishte premtuar se dëmtimi do të riparohej dhe prona do të kthehej në gjendjen fillestare, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe pas kërkesave të tij në bashki.

Nga hetimi i Prokurorisë së Posaçme u konstatua se pretendimet e denoncuesit për dëm ekonomik të shkaktuar ndaj tij qëndronin, paligjshmëri për të cilën u gjet përgjegjëse ish-kryetarja e Bashkisë Libohovë, Luiza Mandi.

(Reporter.al)