Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Këto ditë, Departamenti i Shtetit të SHBA-së (DOS) ka lëshuar deklaratën e mëposhtme:
Pandemia e koronavirusit vazhdon të prekë rëndë mundësinë e ambasadave dhe konsullatave anembanë botës për rifillimin e aktivitetit normal të dhënies së vizave. Kufizimet e veçanta variojnë në varësi të kushteve dhe masave kufizuese në vendet përkatëse, por në to përfshihen lockdown-et në nivel lokal dhe kombëtar; kufizimet e udhëtimeve; rregulloret e karantinës në vendin pritës; si dhe masat e marra nga vetë ambasadat dhe konsullatat tona me qëllim pengimin e përhapjes së koronavirusit. Të marra së bashku, këto kufizime kanë sjellë një ulje të numrit të takimeve gjatë periudhës së pandemisë, gjë që ka krijuar një akumulim të numrit të aplikantëve për viza emigruese dhe joemigruese të cilët janë në pritje të intervistave për të marrë vizë. Departamenti i Shtetit po punon për të zvogëluar numrin e rasteve të prapambetura si dhe për të garantuar njëkohësisht sigurinë e personelit të ambasadës, të vetë aplikantëve si dhe sigurinë kombëtare. Sigurimi i shërbimeve për nënshtetasit amerikanë jashtë vendit është përparësia kryesore e seksioneve konsullore nëpër botë. Për sa i përket shërbimit të vizave, në ato seksione konsullore që e kanë mundësinë, proçesimi i vizave emigruese dhe atyre të të fejuarve, sidomos për anëtarët më të afërt të familjeve si dhe aplikantë të tjerë që kërkojnë bashkim familjar, është përparësia jonë kryesore. Departamenti i Shtetit është i vendosur që të ndajë në mënyrë sa më transparente me publikun statusin aktual të aktivitetit të shërbimit të vizave nëpër botë si dhe të vazhdojë të japë rregullisht përditësimet që kanë të bëjnë me këtë status. Informacioni që ka të bëjë me grumbullimin e rasteve të prapambetura të proçesimit të vizave do të vihet në dispozicion të publikut në të ardhmen. Ambasadat dhe konsullatat e SHBA-së që merren me proçesimin e aplikimeve për viza joemigruese po i japin përparësi personave të cilëve u duhet të udhëtojnë për nevoja urgjente, diplomatëve të huaj, kategorive të udhëtarëve që kanë misione të një natyre kritike (si ata që vijnë për të ndihmuar SHBA-në lidhur me pandeminë apo atyre që janë të nevojshëm për furnizimin me ushqime të amerikanëve). Më pas vijnë studentët, vizitorët e shkëmbimit si dhe disa viza punësimi të përkohshme. Aplikantët duhet të kontrollojnë faqen e internetit të ambasadës apo konsullatës më të afërt për të parë statusin aktual të aktivitetit të shërbimit të vizave.
Informacionin rreth kohës së pritjes për vizat joemigruese mund ta gjeni në seksionin përkatës në: https://travel.state.gov/content/travel/en/us-visas/visa-information-resources/wait-times.html.
P. Cilat janë shërbimet shtesë të vizave që do të fillojnë të ofrojnë ambasadat apo konsullatat?
Të gjitha misionet tona po vazhdojnë të ofrojnë shërbime vizash për rastet e misioneve të një natyre kritike apo raste emergjence. Në varësi si e lejojnë kushtet në vendet përkatëse, dhe pasi të jenë përmbushur nevojat për shërbime të nënshtetasve amerikanë, misionet tona do të fillojnë gradualisht të proçesojnë çështje rutinë vizash emigruese dhe joemigruese. Pikat që merren me proçesimin e aplikimeve për viza emigruese po i japin përparësi anëtarëve më të afërt të familjeve të nënshtetasve amerikanë, ku përfshihen dhe adoptimet ndërvendase, të fejuarit e nënshtetasve amerikanë si dhe aplikime të caktuara për viza speciale emigrimi. Pikat konsullore që merren me proçesimin e aplikimeve për viza joemigruese do të vazhdojnë t’i japin përparësi atyre që duhet të udhëtojnë për nevoja urgjente, diplomatëve të huaj si dhe kategorive të udhëtarëve me misione të një natyre kritike siç është rasti i atyre që vijnë për të ndihmuar përpjekjet e SHBA-së për përballimin e pandemisë. Më pas vijnë studentët, vizitorët e shkëmbimit (F-1, M-1 dhe J-1) si dhe vizat e punësimit të përkohshëm. Pikat konsullore që proçesojnë si vizat emigruese dhe ato joemigruese do t’u japin përparësi vizave emigruese ndërkohë që do të ofrojnë dhe disa shërbime vizash joemigruese. Se cili do të jetë volumi dhe lloji i çështjeve për viza që pikat konsullore do të proçesojnë, varet nga rrethanat në vendet përkatëse. Një ambasadë apo konsullatë do të rifillojë gjykimin e të gjithë rasteve rutinë për viza emigruese dhe joemigruese vetëm atëhere kur do të ketë në dispozicion mjetet dhe personelin e nevojshëm si dhe kur nuk do të ketë rrezik për ta bërë një gjë të tillë.
P. Cilat janë kriteret që po përdorin misionet për të vendosur se kur duhet të rifillojnë shërbimet rutinë?
Po monitorojmë nga afër gjendjen në secilin nga vendet ku gjendet prania amerikane. Në kushtet në vend që mund të luajnë rol në kohën se kur mund të rifillojnë shërbime të ndryshme publike, përfshihen infrastruktura mjekësore, rastet me koronavirus, aftësia për t’iu përgjigjur rasteve urgjente si dhe masat kufizuese që lidhen me koronavirusin në vendin përkatës.
P. Cilat janë hapat që po ndërmerren për të mbrojtur klientët nga përhapja e koronavirusit?
Mbeten parësorë shëndeti dhe siguria e punonjësve dhe klientëve tanë. Ambasadat dhe konsullatat tona po vënë në zbatim masa mbrojtëse për të mbrojtur personelin dhe klientët tanë. Në këto masa përfshihen ruajtja e distancës fizike në dhomat e pritjes, caktimi i një numri më të vogël intervistash në të njëjtin orar, dizinfektimi i shpeshtë i zonave me më shumë kontakt si dhe ndjekja e rregullave të sigurisë të caktuara nga insitucionet lokale të shëndetit.
P. A vazhdojnë ende të jenë në fuqi kufizimet e ndryshme të udhëtimit/ Proklamatat Presidenciale, apo janë hequr tashmë që ka rifilluar shërbimi i vizave?
Tre proklamatat gjeografike lidhur me koronavirusin (P.P. 9984, 9992 dhe 10143) vazhdojnë të jenë në fuqi. Këto proklamata, me disa përjashtime të veçanta, u vënë kufizime qoftë për lëshimin e vizave, qoftë për hyrjen në Shtetet e Bashkuara personave që janë fizikisht të pranishëm në Kinë, Iran, Brazil, Mbretëri të Bashkuar, Irlandë, Afrikë të Jugut si dhe 26 vendeve të zonës Shengen.
P: A është situata ime urgjente? Më duhet të shkoj në Shtetet e Bashkuara për X arsye.
Aplikantët mund të gjejnë udhëzime se si të bëjnë kërkesë për takim urgjent për vizë në faqen e internetit të ambasadës apo konsullatës.
P. Çfarë ndodh me tarifën e aplikimet që ka skaduar gjatë kohës që ishin pezulluar shërbimet rutinë?
Tarifa për Machine Readable Visa (MRV) është e vlefshme brenda një viti nga data e pagesës dhe mund të përdoret për të caktuar një takim për vizë në vendin ku është blerë. Megjithatë, Departamenti i Shtetit e ka të qartë që si pasojë e pandemisë, shumë aplikantë për vizë i kanë paguar tarifat e proçesimit të aplikimeve dhe janë ende në pritje për të caktuar një takim për vizë. Po punojmë shumë që të rifillojmë veprimet për dhënien e vizave sa më shpejt dhe sa më sigurt që të jetë e mundur. Ndërkohë, Departamenti i Shtetit e ka shtyrë datën e skadimit të tarifave MRV deri më 30 shtator, 2022 për t’u dhënë mundësinë aplikantëve që nuk kanë qenë në gjendje të caktojnë takim për vizë për shkak të pezullimit të operacioneve konsullore rutinë, që të caktojnë apo/dhe të shkojnë në një takim për vizë me tarifën që kanë paguar tashmë.