Deportohet kushërira: A është e mundur që prindërit e saj të paraqesin peticion për bashkim familjar?

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Prindërit e kushërirës kanë nënshtetësi amerikane dhe janë të pajisur me pasaporta amerikane. A mund të bëjnë bashkim familjar me kushërirën (të bijën). Kushërira i ka kaluar të 50-at. 16 vjet më parë pati aplikuar për azil politik dhe nuk iu pranua. Do të na ndihmonit shumë dhe do t’ju ishim përjetë mirënjohës nëse do t’i përgjigjeshit pyetjes sonë. Ju falenderojmë për kohën që na kushtoni.

AN

Faleminderit që ndiqni rubrikën tonë. Kushërira dhe prindërit e saj duhet të flasin me një avokat me përvojë në fushën e emigracionit përpara se të paraqesin ndonjë kërkesë pranë emigracionit. Përpara se t’u japë këshilla se si të veprojnë, avokati do t’u bëjë disa pyetje që kanë rëndësi. Vetëm atëherë gjasat për sukses do të jenë më të mëdha.  

Po, prindërit e kushërirës mund të aplikojnë për bashkim familjar, por do të duhet shumë kohë që t’i dalë viza. Nënshtetasit amerikanë kanë të drejtë të aplikojnë për bashkim familjar me fëmijët e tyre që kanë mbushur moshën 21 vjeç duke paraqitur formularin I-130 nën kategoritë e sponsorizimeve familjare.  Megjithatë vizat e emigrantëve bazuar në kategoritë preferenciale të bashkimeve familjare janë të kufizuara.  Këto lloj vizash egzistojnë për lidhje të caktuara familjare me nënshtetasin amerikan dhe me dikë që ka green card. Tashmë ka kufizime numerike për emigrantët e kategorive preferenciale familjare.

Rasti i kushërirës suaj, hyn ose në kategorinë e parë (F1): bijtë ose bijat e pamartuar/a të nënshtetasve amerikane ose në kategorinë e tretë (F3) bijtë ose bijat e martuar/a mbi 21 vjeç të nënshtetasve amerikanë. Në mesazhin tuaj nuk keni shkruar nëse kushërira juaj është ose jo e martuar. Një detaj i tillë luan shumë rol kur vjen puna për kohën që do t’i duhet të presë për vizë. Vizat emigruese të vëna në dispozicion për emigrantët lëshohen duke ndjekur rendin kronologjik sipas të cilit janë paraqitur kërkesat; përdoret për këtë qëllim data përkatëse prioritare. Data e dorëzimit së një aplikimi  në emigracion quhet data prioritare e aplikimit. Vizat e emigrantëve nuk mund të lëshohen derisa t’i vijë radha datës prioritare të aplikantit. Nëse formulari Form I-130 është paraqitur sot, nën kategorinë F1 (bijë e pamartuar), atëherë koha e përafërt e pritjes për vizë është 7 vjet e gjysëm. Nëse aplikimi I-130 është bërë sot, nën kategorinë F3 (bijë e martuar), atëherë pritja për vizë zgjat përafërsisht 12 vjet e gjysmë. Buletini i vizave mund të gjendet në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së  https://travel.state.gov/content/travel/en/legal/visa-law0/visa-bulletin.html Numrat e vizave ndryshojnë çdo muaj, ndaj u sugjerojmë lexuesve tanë që kanë paraqitur kërkesë pranë emigracionit t’i kontrollojnë këto numra në mënyrë periodike.  

Duke u nisur nga historiku me emigracionin i kushërirës suaj, mund të ketë dhe ndërlikime të tjera. Nuk na keni thënë nëse kushërira gjendet në SHBA apo në Shqipëri. Nëse kushërira juaj ka kërkuar azil dhe i është refuzuar, ekziston mundësia që asaj t’i jetë dhënë urdhër dëbimi (deportimi). Dikush që ka urdhër deportimi nga Emigracioni, duhet të presë për një periudhë të caktuar kohe përpara se të mund të ketë të drejtë me ligj që të hyjë në SHBA. Nëse kushërira juaj ka patur një urdhër deportimi, ka shumë të ngjarë që të mos i lejohet të hyjë në Amerikë, për pesë, dhjetë apo deri dhe në njëzet vjet. Egziston madje dhe mundësia që ajo të ketë humbur përfundimisht të drejtën për t’u ri-futur në Shtetet e Bashkuara.

Ndalimi pesëvjeçar: Nëse individi dëbohet me të mbërritur në aeroport apo pikë hyrje kufitare në SHBA, për shkak se  konsiderohet i/e papranueshme, ose nëse ka qënë më  parë në proces deportimi nga SHBA, është dëbuar dhe i është ndaluar të rifutet në SHBA për pesë vjet.

Ndalimi dhjetëvjeçar për ri-hyrje në Amerikë: Nëse gjykatësi i emigracionit në përfundim të seancës dëgjimore lëshon ​​urdhër deportimi për dikë (edhe nëse ai/ajo nuk është paraqitur), personi në fjalë nuk ka të drejtë të rikthehet në SHBA për 10 vjet.

Ndalimi njëzetvjeçar: Kur dikush të cilit i është është ndaluar të hyjë në Amerikë për 10 vjet, tenton të rihyjë para skadimit të afatit dhjetëvjeçar, egziston mundësia që gjykatësi t’i shtojë dhe dhjet vjet të tjera barrierës së parë 10-vjeçare. Si rrjedhim, lëshimi i më shumë se një urdhër deportimi mund të çojë në një periudhë ndalimi 20 vjeçare gjatë së cilës personit në fjalë nuk i lejohet të hyjë në SHBA.  

Ndalimi i përhershëm: Kur dikush është dënuar për një krim të rëndë futet në SHBA pasi është deportuar ose ri-hyn në Shtetet e Bashkuara pasi ka qëndruar aty më parë ilegalisht për më shumë se një vit, atij ose asaj i ndalohet përgjithmonë hyrja në SHBA. 

Nëse kushërira e lexuesit tonë u largua nga SHBA-ja 16 vjet më parë, pasi iu dha urdhër deportimi, egziston mundësia që ajo të ri-hyjë në SHBA sapo t’i aprovohet peticioni (Formulari I-130) dhe t’i vihet në dispozicion një vizë. Kjo gjë është e mundshmë në rast se për të ka patur një urdhër ndalimi 10 vjeçar dhe nëse ajo u largua menjëherë kur iu kërkua të largohej. 

Fatkeqësisht, nëse kushërira nuk u largua kur iu refuzua kërkesa për strehim politik, gjasat janë që asaj të mos i lejohet ndryshimi i statusit nëpërmjet bashkimit familjar, pa u larguar më parë nga SHBA-ja. Në momentin që largohet nga SHBA-ja nis numërimi i viteve të ndalim-hyrjes në SHBA. Sqarimi i kësaj çështje do të jetë ndër gjërat e para me të cilat do të merret avokati kur të shqyrtojë faktet që kanë të bëjnë me rastin e kushërirës. 

Egzistojnë disa alternativa të kufizuara që mund t’i lejojnë kushërirës të rikthet në mënyrë të ligjshme edhe pse egziston një periudhë ndalim-hyrje. Për këtë të mundësuar diçka të tillë, asaj do t’i duhet të aplikojë për një “waiver”  që është një lloj kërkese për “falje” të urdhrit të mëparshëm të deportimit, aprovimi i të cilës do t’i lejonte të rihynte në SHBA me vizë ose me green card

Aprovimi i kërkesave të tilla për falje nuk është gjë e lehtë. Një avokat me përvojë në fushën e emigracionit mund të jetë në gjendje t’u japë anëtarëve të familjes suaj këshillat e nevojshme. Për këto lloj kërkesash për falje (waivers) do të flasim në mënyrë të detajuar në numrat e ardhshëm të rubrikës sonë. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]