Strasburg, 23 tetor 2024 – Një grup prej rreth 30 deputetësh të Partisë Demokratike, të veshur me bluza ku shkruhet “Lironi Berishën” dhe flamurin e Shqipërisë, kanë protestuar këtë të mërkurë para Parlamentit Europian në Strasburg, për sensibilizimin e eurodeputetëve me atë që ata e cilësojnë si luftë kundër opozitës në Shqipëri.
Deputetët Edi Paloka, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Ramadan Likaj, Flamur Hoxha, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Kreshnik Çollaku, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Tritan Shehu, Sorina Koti, Kastriot Piroli, Tomor Alizoti, Dhurata Çupi, Qani Xhafa, Xhelal Mziu, Dashnor Sula, Saimir Korreshi, Ilda Dhori, Ludovik Hasanaj, Kasem Mahmutaj, dhe Petrit Doda, kanë marrë pjesë në atë që ata e cilësojnë si një fushatë sensibilizuese për të njohur eurodeputetët me faktet e arrestimit politik të Kryetarit të PD dhe Liderit të Opozitës, Sali Berisha.
Ata kërkojnë monitorimin e situatës dhe lirimin e menjëhershëm të Berishës, duke e cilësuar arrestimin e tij si përpjekje për të cënuar barazinë e palëve në zgjedhje.
“Jemi në një vit zgjedhor, dhe drejtësia po përdoret për të goditur drejtuesit e opozitës, në mënyrë që Edi Rama të konkurrojë me vetveten dhe të mbajë pushtetin me dhunë,” shprehen ata.
Deputetët demokratë e konsiderojnë arrestimin e Sali Berishës si një hakmarrje politike nga Kryeministri Edi Rama ndaj Partisë Demokratike.
Ata e akuzuan Kryeministrit Edi Rama për “shkatërrimin e shtetit ligjor”, për “asgjësimin e balancës mes pushteteve” dhe për “eliminimin e zgjedhjeve të lira” në Shqipëri.
“Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që qeveriset me prova të pakontestueshme të lidhjeve me krimin e organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe kandidatët për deputet në listën e Partisë Socialiste”, theksohet mes të tjerash në njoftimin e PD-së.
Ndërkohë, disa deputetë të PD-së janë takuar me deputetë të Parlamentit Evropian për t’i njoftuar me përpjekjet e kryeministrit Rama për “shkatërrimin” e opozitës në Shqipëri. Ata u takuan me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike Evropiane, Sandro Gozi, eurodeputet, dhe me përfaqësuesen e grupit parlamentar “Renew Europe”, Oihane Agirregoitia Martínez.
(r.m)