Deputetët e Listës Serbe rikthehen në Kuvendin e Kosovës, pas 5 muajsh

Prishtinë, 6 prill 2023 – Deputetët e Listës Serbe janë kthyer në Kuvendin e Kosovës, pas mungesës pesë mujore.
Të enjten ata kanë zënë ulëset e tyre në Kuvend, ku do të debatohet për punën dy-vjeçare të Qeverisë së Kosovës.
Rikthimi i tyre është shoqëruar edhe me debat mes deputetësh. Deputeti i pavarur, Haki Abazi, e ka akuzuar deputetin Adem Hoxha se në Kuvendin e Kosovës vjen vetëm për para. Ai, në mënyrë të tërthortë, i ka akuzuar deputetët e Listës Serbe edhe për djegien e automjeteve me targa RKS në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit përfundon ose bëhet i pavlefshëm nëse ai mungon në seancat e Kuvendit 6 muaj pa ndërprerë . Deputetët e Listës Serbe ekanë dhënë betimin në muajin nëntor. Prej atëherë ata nuk kanë marrë pjesë në seanca.
(r.m.)