Tiranë, 5 shkurt 2024 – Në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë deputetët e opozitës u përplasën fizikisht me punonjësit e gardës, të hënën, më 5 shkurt.
Për të mos lejuar pjesëmarrjen në seancë të deputetëve të përjashtuar nga punimet e Kuvendit, punonjësit e gardës u rreshtuan te hrja kryesore, por, pavarësisht vendimit për përjashtim, deputetët opozitarë tentuan të hynin me forcë në sallë dhe kjo krijoi tensione. Pas përplasjes, dera u hap vetëm për deputetët e opozitës që nuk kishin masë disiplinore.
Me nisjen e seancës plenare, tensionet nuk munguan as brenda në sallë. Punonjësit e gardës u rreshtuan para foltores, pasi deputetët e opozitës u drejtuan nga zona ku ulen anëtarët e kabinetit qeveritar të Shqipërisë.
Për shkak të kësaj situate, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u detyrua ta mbyllte seancën në të cilën deputetët pritej të flisnin për problemet që kishin vërejtur gjatë takimeve me qytetarët në zonat e tyre zgjedhore.
“Ju nuk doni të flisni për hallet e qytetarëve, këtu seanca mbyllet”, tha kryeparlamentarja Nikolla.
Nëntëmbëdhjetë deputetë të opozitës janë të përjashtuar nga Komisioni i Etikës më 29 janar, për shkak të bllokimit të punimeve të Kuvendit si dhe të Komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.
Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste në pushtet, Bledi Çuçi, paralajmëroi se do të ketë sërish përjashtime për deputetët të cilët kanë shkelur Rregulloren e Kuvendit.
“Ishte shfaqje e shëmtuar. Përjashtimet do të vijojnë nëse do të kemi sërish tensione në Parlament apo në komisione. Ky teatër me kolegët e përjashtuar që futen me zor, është teatër absurd”, tha Çuçi.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike në opozitë, Gazment Bardhi, tha se Garda e Republikës me urdhër të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaloi deputetët të hynin në Kuvend.
“Sot në Kuvend kishte ardhur bashkëpunëtori i Arben Ahmetajt [ish-zëvëndëskryeministri i shpallur në kërkim]. Me një urdhër të paligjshëm, deputetët e opozitës u penguan të futen në sallën e seancës plenare”, tha Bardhi.
Më pas deputetët e grupimit “Bardhi-Berisha” iu bashkuan protestës së thirrur prej tyre para ndërtesës së Kuvendit, pikërisht kundër vendimit për përjashtimin e 19 deputetëve.
Në protestë, qytetarët hodhën kapsolla dhe tymuese ndërsa kishte edhe përplasje me forcat e policisë. Pas tubimit para Kuvendit, deputetët dhe qytetarët marshuan drejt rrugës “Mustafa Matohiti” pranë banesës së Sali Berishës, i cili po mbahet në “arrest shtëpie” në lidhje me hetimet për korrupsion në rastin e privatizimit të ish-klubit sportive “Partizani”.
Ky grupim brenda Partisë Demokratike ka paralajmëruar edhe për një protestë të re më vonë gjatë shkurtit.
(REL)