Strasburg, 2 dhjetor 2024 – Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian debatoi të hënën për sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, I cili ështբ cilբsuar si sulm terrorist nga Kosova, si edhe nga Bashkimi Evropian.
Debati u hap me një ekspoze të detajuar të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, për sulmin në këtë objekt me rëndësi jetike për Kosovën si edhe për sulmet e mëparshme të formacioneve të armatosura serbe në pjesën veriore të Kosovës. Ajo tha se Serbia, përmes sulmeve të armatosura në Kosovë, po teston tolerancën e Perëndimit dhe theksoi se tani është koha e fundit që Perëndimi të reagojë dhe Bashkimi Evropian të ndërpresë bisedimet me Serbinë për anëtarësim në union.
“Ajo që po ndodh prej vitesh para syve tanë është konfrontimi i përshkallëzuar me qëllim që të shihet se çfarë është i gatshëm të tolerojë Perëndimi. S’ka më kohë. Duhet të përçohen sinjale të qarta. S’mund të tolerojmë të mos dëgjohen paralajmërimet nga Baltiku e Ballkani. Sa i përket këtij sulmi (në Varagë të Zubin-Potokut v.j), partia e z.Scholz ka thënë se nëse Serbia e ka bërë këtë, duhet të bllokohen negociatat e Serbisë me BE-në. Jo vetëm për shkak të Kosovës, por për shkak të stabilitetit të Evropës”, theksoi Gërvalla.
“Nëse Serbia vazhdon rrugëtimin drejt BE-së pa një presion të vërtetë, këto veprime nuk do të ndalen vetëm në Kosovë, por do të përhapen edhe në rajon”, paralajmëroi ajo.
Kryetari i komisionit, David McAllister, shprehu shqetësimin e PE-së për sulmet e fundit në pjesën veriore të Kosovës. Ai rikujtoi se Parlamenti Evropian i ka dënuar fuqishëm këto akte, të cilat ai I cilësoi se akte për destabilizimin e situates në Kosovë.
Eurodeputeti gjerman Michael Gahler ka bërë thirrje për hetim të hollësishëm të sulmit në kalanin e Ibër – Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
“Të gjithë kemi arsye për të refletuar mbi këtë situatë dhe mbi të gjitha vrojtimet për çfarë ka ndodhur. Nesër do ta kemi në Bruksel presidentin Vuçiq. Do të shohim si do të reagojë ai. Duhet të shohim se çfarë ka ndodhur. Sigurisht që duhet të kontrollohen të gjitha dokumentet, megjithëse mund të jetë e vështirë të kuptohet çdo gjë. Janë bërë pretendime shumë serioze, por pyetja e parë do të ishte: çfarë provash janë vënë tashmë në dispozicion në mbështetje të këtyre pretendimeve apo akuzave. Besoj fuqimisht se edhe organi ekzekutiv, Komisioni Evropian, do të duhej t’i merrte shumë seriozisht këto gjëra dhe të sigurihet nëse të gjitha këto që i keni thënë ju dëshmohet se janë të vërteta”, tha ai.
Edhe eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, e shtroi nevojën për një hetim ndërkombëtar të rastit të sulmit në Varagë të Zubin Potokut. Ai ka thënë se premtimet e Serbisë se do të piunojë për gjetjen e përgjkegjësve nuk janë për t’u besuar.
“E mirëpres faktin që Serbia ka thënë se dëshiron të jetë pjesë e hetimit, por e mbaj mend që edhe pas Banjskës e kanë thënë të njëjtën gjë, por që nuk ka ndodhur asgjë më tutje. Duhet të shihet se kush është përgjegjës. Qeveria e Serbisë duhet ta theksojë se shumë nga ata (kryesit e sulmit) janë në Serbi. Ata janë pjesëtarë të komunitetit serb dhe, natyrisht, kanë marrë një orientim ekstremist. Kjo duhet të vihet në pah edhe në bazë të ngjarjeve që kanë ndodhur më parë. Unë pres që Qeveria e Serbisë të shprehë gatishmërinë t’i luftojë këta terroristë edhe brenda territorit të Serbisë”, u shpreh ai.
Waits tha se Rusia është inkurajuar të veprojë për destabilizimin e rajonit edhe nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën.
“Fakti që jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën është pjesë e mesazhit që ua kemi përçuar Rusisë dhe të gjithë atyre që e synojnë destabilizimin. Është koha e fundit që pesë shtetet e mbetura të BE-së ta njohin Kosovën si shtet i pavarur. Ky është sinjal kyç për promovimin e paqes dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”, theksoi Waitz.
Edhe disa eurodeputetë të tjerë kërkuan hetim ndërkombëtar të rastit të sulmit ndaj kanalit të Ibër – Lepencit, por pati edhe eurodeputetë që shprehën solidaritet me Kosovën, por kërkuan më shumë prova për përfshirjen eventuale të autoriteteve të Serbisë në sulmet e kryera në pjesën veriore të Kosovës.
(r.m.)