Tiranë, 15 shkurt 2022 – Deputetët e Partisë Socialiste (PS) në Komisionin Hetimor të Kuvendit të Shqipërisë për Inceneratorët e kanë bojkotuar seancën e marrjes në pyetje të gazetarit Jetmir Olldashi në cilësinë e dëshmitarit, raporton Panorama.al.
Shkak për këtë ka qenë rrëzimi i kërkesës së tyre për të ndaluar marrjen në pyetje të gazetarit, pasi, sipas tyre, ai rezulton të jetë person i dënuar nga gjykata pikërisht për çështjen e inceneratorwve.
Deputeti i PS-së, Arbën Pëllumbi, ka thënë se gazetari Olldashi nuk mund të bëjë dot detyrën e dëshmitarit, sepse rezulton i dënuar nga gjykata e shkallës së parë për shpifje në lidhje me inceneratorët.
“Dëshmitari nuk mund të dëshmojë. Në bazë të nenit 156 gërma ç, zotëria nuk mund të dëshmojë, për shkak të papajtueshmërisë me detyrën e dëshmitarit. Nuk e bën dot dëshmitarin se është i dënuar për këtë çështje. Ky ka një dënim nga gjykata e shkallës së parë dhe rezulton i dënuar për këtë çështje”, ka thënë Pëllumbi.
Kryetarja e Komisionit, deputetja e Partisë Demokratike (PD) Jorida Tabaku, ka thënë se ky është një keqkuptim, sepse gazetari nuk është dënuar, por është hedhur në gjyq për shpifje nga Mirel Mërtiri, një person në kërkim për aferën e inceneratorëve.
“Ka një keqkuptim. Nuk është dënuar për këtë çështje. Ka një vendim që Mirel Mërtiri e ka hedhur për shpifje. Ndërkohë, ata që ishin në kërkim ndërkombëtar më kanë paditur mua”, ka thënë Tabaku.
(r.m.)