Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, dënohet me një vit burgim për “kallëzim të rremë”

Tiranë, 26 shtator 2024 – Deputeti i Partisë Demokratike (PD) në opozitë, Ervin Salianji, është dënuar me një vit burgim, pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, për akuzën “kallëzim i rremë”.

Avokati i deputetit deklaroi se vendimi u mor mbi “prova të fabrikuara”, ndërsa vetë deputeti e cilësoi vendimin si politik.

“Dosje e kopsitur nga fillimi në fund. Vendimmarrje politike. Do ta shohin si do të shkojë historia. Jam i nderuar dhe kam medalje që shndrit në karrierën politike. Do e ankimoj vendimin dhe do ndjekim procedurat e tjera gjyqësore”, tha ai.

Me vendimin e Gjykatës së Apelit, Salianji automatikisht e humb mandatin e deputetit. Kjo parashihet në Ligjin e dekriminalizimit, sipas të cilit një funksionar shtetëror që dënohet me vendim të formës së prerë e humbet menjëherë mandatin apo funksionin që e ushtron.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit morën pjesë edhe deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Pas publikimit të vendimit, PD-ja njoftoi se do të zhvillojë një mbledhje urgjente të grupit parlamentar.

Çështja ndaj deputetit demokrat, e cila njihet edhe si çështja “Babale”, lidhet me një audio-përgjim të publikuar në maj të vitit 2018 nga Partia Demokratike. Sipas autiopërgjimit, vëllai i ministrit të Brendshëm asokohe, Fatmir Xhafaj, bisedonte një person tjetër, me të cilin pajtohej për trafikim të drogës. Ptrokuroria e cilësoi audio-përgjimin si të sajuar.

Deputeti Ervin Salianji ishte dënuar me një vit burgim edhe nga gjykata e shkallës së parë.

(r.m.)