Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, vetëdorëzohet në polici, shkon ta vuajë dënimin me burgim

Tiranë, 28 shtator 2024 – Deputeti i Partisë Demokratike në opozitë, Ervin Salianji, u vetëdorëzua në policinë e Tiranës të premten pasdite, për t’iu nënshtruar procedurave për vuajtjen e dënimit me burgim. Rrugës për në polici ai u shoqërua nga dhjetëra mbështetës të tij, aktivist՞ të Partisë Demokratike.

Salianji u dënua nga gjykata e shkallës së parë me një vit burgim për “kallëzim të rremë”. Gjykata e Apelit e la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Para se të vetëdorëzohej në polici, Salianji tha se “betejën” e tij me pushtetin do ta vijojë edhe nga qelia.

“Çdo përpjekje që kam bërë ka qenë për interesin public […] Duke qenë se unë jam shprehur se do përballem kudo që ta kërkojnë, duke privuar lirinë një vit, do ta bëj betejën aty”, u shpreh Salianji.

Grupi parlamentar i PD-së, në një mbledhje të mbajtur para se Salianji të vetëdorëzojej në polici, e vlerësoi vendimin e gjykatës si vendim politik të diktuar nga kryeministri Edi Rama, me qëllim që të godasë sa të jetë e mundur PD-në në zgjedhjet parlamentare. Në mbledhje u mor vemndimi që më 6 tetor të organizohet një protestë kundër dënimit të Salianjin.

Kreu i grupit të deputetëve demokratë, Gazment Bardhi, tha se me shumicën socialiste në Kuvend nuk do të ketë më asnjë marrëdhënie normale.

Deputeti Salianji u dënua për një audio-përgjim të publikuar nӕ vitin 2018. Sipas audio-përgjimit, Geron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm asokohe, Fatmir Xhafaj, bisedonte një ish-të dënuar në Itali për trafik droge, me të cilin pajtohej për trafikim të drogës. Sipas zërit që i atribuohej Geron Xhafajt, edhe ministri Xhafaj ishte përfshirë në trafik droge.

Sipas prokurorisë, biseda ishte e sajuar dhe Salianji ishte përfshirë në “krijimin e provave të rreme për të dëmtuar politikisht ministrin Fatmir Xhafaj”.

(r.m.)