Deputeti Lushtaku paralajmëron padi ndaj anëtarëve të Qeverisë Kurti

Prishtinë, 13 korrik 2023 – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, paralajmëroi se do të paraqesë padi ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pas përleshjeve fizike në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës më 13 korrik.

Në një konferencë për media, në hollin e Kuvendit të Kosovës, Lushtaku tha se ai është goditur me shishe me ujë nga Bislimi, se është shtyrë nga ministrja Haxhiu dhe se është goditur me “mjet të fortë” nga ministri Murati.

Ndërkaq sulmin e tij me ujë ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, si edhe vendosjen e pankartave fyese për kryeministrin Kurti i cilësoi “aksion politik.

“Asnjëherë nuk kisha në plan të kisha reagim të dhunshëm. Veprimi im ka qenë politik dhe si i tillë kam vepruar me gjuajtje të ujit. Mendoj se të gjithë kanë nevojë për një freskim, sidomos kjo Qeveri që më së shumti po i konvenon Serbisë dhe Rusisë sesa vetë Kosovës dhe strategjisë kombëtare. Unë do të padis këta njerëz të sipërpërmendur dhe sigurisht që organet do të japin fjalën e tyre”, tha Lushtaku.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se Lushtaku  “vetëm e freskoi pak në këtë situatë të tensionuar” në Kuvend.

“Bislimi e sulmoi kolegun tonë i cili as nuk e sulmoi as nuk e gjuajti me molotov as me zollë përveç se i freskoi pak në këtë situatë të tensionuar”, tha ajo.

Opozita në Kosovë ka reaguar pas publikimit të një bisede të shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari -Lila, me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq, i cili është person në kërkim nga drejtësia në Kosovë për disa vepra penale.

Kryeministri Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur Lushtaku iu afrua foltores dhe e gjuajti me ujë. Ky veprim i tij shkaktoi përleshje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe pjesëtarëve të kabinetit qeveritar.

Seanca e Kuvendit të Kosovës nuk vazhdoi pas incidentit. Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se nuk ka kushte për vazhdimin e saj.

(r.m.)