Beograd, 3 shkurt 2023 – Një deputet opozitar në Parlamentin e Serbisë, gjatë debatit për Kosovën, kërkoi që presidenti Aleksandar Vuçiq të testohet me detektorin e gënjeshtrave, aty, në sallën e parlamentit.
“Mister president, kam një propozim për ju. Me që ju e thoni ‘të vërtetën’, ju lutem e sillni këtu një detektor të gënjeshtrave, të shohim se cili do ta kalojë testin”, ka thënë Aleksandar Jovanoviq Çuta, deputet i koalicionit “Bashkërisht – duhet”.
“Gjatë jetës sime kam parë shumë shfaqje, por farsë të tillë, çfarë e pamë dje, nuk kam parë kurrë. Kjo ka bërë që qytetarëve t’u vijë të vjellin nga parlamenti dhe që të fshihet dallimi midis fermës dhe parlamentit”, ka theksuar ai.
Sipas tij, zyrtarët e Serbisë që zhvillojnë negociata për Kosovën tash 20 vjet e kanë kthyer Serbinë në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.
Deputetit Çuta i është ndërprerë disa herë fjala nga deputetët e mazhorancës, të cilët e kanë sharë e fyer për shkak të qëndrimit të tij kritik ndaj Vuçiqit. Ai ka kërkuar nga Vuçiqi që t’i qetësojë mbështetësit e tij, të cilët i ka quajtur “robër”.
“Ju lutem, qetësoni robërit tuaj!”, i është drejtuar ai Vuçiqit.
Debati për Kosovën në Kuvendin e Serbisë është shoqëruar me tensione e përplasje verbale, si edhe me përplasje fizike midis deputetëve të partisë së Vuçiqit, Partisë Përparimtare të Serbisë, dhe deputetëve të partive dhe formacioneve politike ekstremiste serbe.
(r.m.)