Tiranë, 25 tetor 2024 – Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme Plarent Ndreca është marrë i pandehur nga SPAK, të premten më 25 tetor, pasi akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera”.
“Duke iu përgjigjur interesit të gjerë publik, ju komunikojmë se më dt.25.10.2024, të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal. Më shumë detaje do të vijojnë në një moment të dytë”, njoftoi Prokuoria e Posaçme.
Ndreca është kallëzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe hetimet duket se kanë gjetur shkelje sa i përket tenderave të zhvilluara nga Ministria e Brendshme në kohën që ai ishte Sekretar i Përgjithshëm dhe ministër ishte Sandër Lleshaj.
Ndreca e mori mandatin e deputetit në janar të këtij viti dhe i zuri vendin ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili nga ana e tij e humbi mandatin pasi u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme për akuzat e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe u arratis nga Shqipëria.
Ndreca ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme në administratën publike dhe prej vitit 2013 ka shërbyer disa herë si sekretar i Përgjithshëm në ministritë e Arsimit, Mjedisit dhe atë të Punëve të Brendshme. Ai i shtohet një liste të gjatë të përfaqësuesve të Partisë Socialiste të akuzuar nga SPAK për shkelje, korrupsion e të ngjashme. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi Ndreca nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment mbi akuzën.